Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Fierit Gramoz Ruçi ka zhvilluar sot një takim me banorët në Sheq i Madh në Fier. Ruçi u bëri thirrje qytetarëve të votoni për atë subjekt politik, për atë kandidat që bën atë që thotë dhe thotë atë që bën.

“Ne do vazhdojmë takimet si në të gjithë territorin e vendit dhe edhe këtu në Fier. Sapo kemi mbaruar të gjithë zonën rurale në bashkinë e Fierit dhe kemi filluar takimet me të gjitha lagjet e qytetit të Fierit. Këtë punë e kemi bërë në çdo lagje. Pse e kemi bërë? E kemi bërë se nuk është kthyer në edukatë që qoftë ata që janë në pushtet, qoftë ata që duan të vijnë në pushtet të informojnë dhe të raportojnë para zgjedhësve të tyre dhe duhet të kthehet në edukatë politike për forcat politike, për të zgjedhurit e tyre dhe për çdo votues ku vetë ditën e votimit që të mos votojë me tifozllëk por të votojë për atë subjekt politik për atë kandidat i cili bën atë që thotë dhe thotë atë që bën”, tha Ruci

Ruçi u shpreh se kur kishte ardhur për herë të parë në fushatë në Fier në 2009, kishte një një tabelë të madhe me tre premtime nga ata që ishin në pushtet. Spital të ri, ujë 24 orë dhe universitet. “Qëndruan në 2009 në pushtet nuk bënë asgjë as për ujin e pijshëm, as për spitalin dhe universitetin. Ne jemi këtu jo të shpallim çarçafë premtimesh, por këtu ballë për ballë për të thënë atë që bëjmë dhe për të bërë atë që themi”, tha Ruçi..

“Dhe ja ku jemi, atëherë flisnim për 1 apo dy orë në ditë për ujë, sot flasim për 24 orë ujë në ditë. Atëherë flisnim që energjia elektrike nuk na vinte me voltazhin e duhur sot flasim që qyteti i Fierit ka 20 kv. Atëherë flisnim si do mbrohemi nga përmbytja e Gjanicës, sot flasim kur do të mbarojë faza e dytë dhe kur do vazhdojë e treta dhe kur do të përfundojë”, tha ai

Më tej, Ruçi tha se më 25 prill secili duhet të votojë që këto punë të bitisen deri në fund, se siç është bërë qendra e Fierit nuk është bërë edhe periferia e Fierit.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm, duhet të bëhet dhe periferia e Fierit. Prandaj më 25 ne do votojmë që kjo infrastrukturë e qyteteve dhe e fshatrave të behet. Në 2009 nuk kishte një qendër komune të asfaltuar, sot me gishta e dorës janë fshatrat që nuk janë asfaltuar. Prandaj me 25 do vemi që kjo infrastrukturë të cilën ne flasim, qoftë kombëtare, qoftë lokale do bëhet apo jo? Dhe ne jemi këtu që të themi po. Dhe jo vetëm kjo por dhe ajo kombëtare”, tha ai.

“Tropoja e Saliit nuk u ndryshua kur ishte në pushtet ai, por është bërë punë në këto 8 vite qeverisje të Edi Ramës. Puka është kthyer në një vend atraktiv për turistët. Kur të shkoni në kutinë e votimit duhet të votoni atë alternativë e cila është e besueshme dhe vë gishtin në plagë për ato halle, ato probleme, ato shqetësime që ke ti në familje, që ka lagjja, rajoni, qyteti, bashkia, vendi. Boll kemi humbur kohë. S’ka kohë për të humbur. S’ka kohë për pushim”, tha në fund Ruçi.