Ish-kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka marrë vlerësimin e dytë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në harkun kohor prej dy muaj. Pas renditjes nga Departamenti Amerikan i Shtetit mes 12 kampionëve kundër korrupsionit në botë, Dvorani është përfshirë nga amerikanët edhe në listën kampionëve të reformës në drejtësi, që është edhe investimi më i madh i SHBA-BE në Shqipëri. Vlerësimi i dytë i Dvoranit është një mesazh i qartë për Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët sulmojnë prej 10 vitesh ish-kreun e KED, duke e etiketuar edhe si simbol të kapjes dhe të dështimit, sipas tyre, të reformës në drejtësi.
Madje, në 1 prill të këtij viti, Presidenti Ilir Meta kërcënoi hapur Ardian Dvoranin, duke deklaruar se do të shkojë në burg. Sipas tij, “Mafia ndërkombëtare i ka të regjistruara në telefonat e saj mesazhet e Presidentit, por dhe ballë për ballë i kam paralajmëruar: Duhet të jenë shumë të kujdesshëm me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Shqiptarët janë zot në vendin e tyre dhe ne, zgjidhjen do e japim vetë… Ardian Dvorani do shkojë ne burg për dhunimin e Kushtetutës, kjo punë ka marrë fund”. Me ‘mafia ndërkombëtare’, Meta u referohet përfaqësuesve ndërkombëtarë të angazhuar për hartimin, miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Presidenti e ka shpallur komplot ndërkombëtar.
Shatë ditë më vonë, Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matthew Palmer, pas takimeve virtuale me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD-së Lulzim Basha, zhvilloi një takim me një grup personash, të cilësuar nga Ambasada Amerikane si ‘kampionë të reformës në drejtësi’. Edhe pse aktualisht është thjeshtë gjyqtar në Apel, Ardian Dvorani rezulton në listën e kampionëve të reformës në drejtësi, sipas Ambasadës Amerikane në Tiranë. Përpos Dvoranit pjesë e listës janë edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj si dhe kreu i KLP, Gent Ibrahimi, që të dy të sulmuar nga Meta dhe Berisha, të identifikuar edhe si udhëheqësit e frontit anti-reformë në Shqipëri.