Brenda një kohe të shkurtër një pjesë e konsiderueshme e njerëzve në botë pritet që të vaksinohen kundër COVID-19. Deri tani janë disa vaksina që po qarkullojnë, teksa në Shqipëri po injektohen, Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.
Por shkencëtarët nuk janë mjaftuar vetëm me zbulimin e vaksinës kundër sëmundjes, tashmë objektivi i ri është zgjidhja për ata që kanë frikë nga gjilpërat. Një ekip shkencëtarësh nga Shën Petersburg po tentojnë të krijojnë një vaksinë anti-COVID që mund të pihet dhe jo të injektohet me gjilpërë.
Por me çfarë shije do të jetë vaksina? Një prej shkencëtarëve rusë, Alexander Suvorov i dha përgjigje pyetjes. Ai u tha gazetarëve se vaksina do të shijonte tamam si një pije popullore me bazë qumështi, e njohur me emrin “Ryazhenka”. Përgjigja për studimin pritet që të jepet brenda vitit.