Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësinë 10 është shkrirë, duke iu bashkuar përfundimisht Partisë Socialiste. Në një takim të zhvilluar me ish anëtarët e LSI-së, mes të cilëve edhe Taulant Kalo, ish drejtuesi i degës së LSI në këtë njësi, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u shprehu mirë se ardhjen në familjen socialiste dhe nënvizoi se dera është e hapur edhe për shumë të tjerë.
Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, deklaroi se PS është një familje e madhe, që nuk diskriminon askënd.
“E vlerësoj shumë këtë bashkim, më mirë vonë se kurrë, por ajo që ju premtoj është se PS-ja do të jetë një derë e hapur dhe një familje që nuk diskriminon. Në PS nuk të thotë askush kush je ti e kush jam unë sepse ne të gjithë, në një moment të jetës sonë kemi bërë eksperimentet tona. Rëndësi ka që e kuptuam se ajo që na bashkon është shumë më e rëndësishme dhe më e madhe se ato që na ndajnë. Interesi i familjes sonë të madhe është më i rëndësishëm, është më i madh se interesi i një familje të vogël, ku partinë e merr një herë burri e një herë gruaja, pastaj burri ia lë gruas, pastaj gruaja ia kthen prapë burrit. Nuk kemi kohë për të humbur! Shprehja ‘bashkimi bën fuqinë’ të vlejë edhe për Njësinë 10, ashtu siç jemi bashkuar me shokë e kolegë të tjerë”, nënvizoi Veliaj.
Ai kujtoi se javët e fundit PS-së në Tiranë i janë ribashkuar shumë figura të tjera.
“Na është bashkuar Elez Gjoza në Njësinë 2, Gent Arapi në Njësinë 11, po ashtu edhe në Zall-Herr, në Farkë, në Vaqarr. Na janë bashkuar shumë miq dhe kolegë të komunitetit çam, kur panë se partia e tyre bëri pakt me Dulen dhe u kuptua se i gjithë sherri paska qenë artificial, qenka bërë për një karrige, pra qenka pazar, sherr për plaçkë, jo për parime. Por, unë besoj se ka ardhur koha të mendojmë për familjet tona, jo për partitë që na përçajnë. E kemi kuptuar se familja jonë është më e rëndësishme se sa tekat e këtyre që i kanë lidhur punët me Anglinë dhe Hollandën, e madje as nuk votojnë këtu”, kujtoi Veliaj.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Tiranës, u shpreh se të gjithë e dinë kush është Lulzim Basha sepse qytetarët e mbajnë mend që s’nguli një gozhdë kur ishte kryetar bashkie.
“Kandidon për kryeministër një njeri që del nga shtëpia pa kartë identiteti, kurse e shoqja nuk voton fare sepse ka pashaportë të huaj. Nuk kemi ç’të presim nga këta njerëz, i kemi provuar disa herë. Ne e provuam edhe Saliun, edhe Ilirin, edhe Monikën, edhe Lulin në bashki, i ngeci sahati dhe trami s’erdhi kurrë. E provuam edhe në ministri të rendit, ku u vranë 4 vetë me plumba në mish m’u në mes të rrugës, për bllokun e Ilir Metës. E provuam edhe te “Rruga e Kombit” ku humbën 300 milionë euro dhe ai thoshte nuk vij se jam sëmurë me diarre, 3 vjet raport”, deklaroi Veliaj.