Kryeministri Rama deklaroi sot se vaksina kineze dhe ruse u siguruan pasi BE nuk na bëri pjesë të skemës së shpërndarjes së vaksinës.

Duke folur për vaksinën ruse dhe kineze dhe në lidhje pse është hezituar, Rama tha se ka qenë një proces shumë dinamik sigurimi i vaksinës. Shumë dinamik dhe shumë i hatashëm nga pikëpamja e përpjekjeve, konfuzionit dhe e kacafytjes me vende të tjera.

“Pra realisht, nëse do më thoshin na jepja një imazh sesi ka qenë unë këtë imazh do jepja sherret për të hipur në autobus në momentin e pikut. Kështu kanë qenë shtet për të marrë vaksinën. Dhe ne nuk jemi nisur nga një pozitë e favorshme. Nuk jemi Gjermani, nuk jemi Franca, nuk jemi Britania e Madhe, ne jemi një vend jo i fuqishëm dhe jemi një vend që gjendemi në zemër të Europës por është një zemër që ende nuk është integruar në trupin e Europës. Faktikisht është e rrethuar me mur për faktin se BE nuk na bëri pjesë të skemës së shpërndarjes së vaksinës dhe kapërcimi i këtyre mureve për të siguruar vaksinën ishte një detyrim por dhe një aventurë, pasi fakti është se ne jemi një nga dy vendet në rajon që kemi hyrë në vaksinimin masiv”, tha Rama.

Ai shtoi se në fillim ne siguruam kontratë me Pfizer dhe ishim optimist që të mund të siguronim vaksinat që janë të aprovuara nga EMA, duke ndjekur të njëjtën linjë me BE.

“Shqipëria ka ndjekur historikisht të njëjtë linjë me vendet e BE-së edhe kur kanë qenë qeveri të tjera, mirë po ne pamë pak nga pak se kjo gjë nuk ishte e mundur, jo për shkakun tonë por për shkak se nuk ka vaksina të mjaftueshme për nevoja të të gjitha vendeve dhe për shkak të faktit se vendet e mëdha nuk janë duke menduar për të tjerët, janë duke menduar për vete. Por nga ana tjetër, e gjitha që duhet kuptuar është se nuk është se ne i kishim vaksinat kineze dhe ruse dhe nuk po i merrnim. Nuk është se ato ishin në një pazar dhe po shkonim t’i blinim. Nuk kishte. Dhe rruga për të shkuar drejt tyre nuk ka qenë një rrugë direkte, por indirekte me shtete të tjera, me partnerë të tjerë. Dhe falë këtyre lidhje dhe partneriteti, që në kohë normale janë kritikuar janë përqeshur, ne arritëm të siguronim dhe me doza të mëdha”, tha ai.

Rama shtoi se vaksina kineze nga pikëpamja e kredibilitetit, ka një kredibilitet shumë të lartë.

“E para sepse Turqia që është një vend që të gjithë e respektojnë për transformimin e shëndetësisë po vaksinon me atë vaksine dhe ka shumë sukses. Emirate e Bashkuara, Arabia Saudite, Kuvajti dhe të gjithë vendet e gjirit po vaksinohen me vaksinë kineze. Oborret Mbretërore janë vaksinuar me vaksinën kineze dhe kështu një sërë vendesh të tjera”, tha Rama.

Rama theksoi se Saliu dhe të tjerë përhapën fjalë se vaksina kineze është vdekjeprurëse.

“U hap llafi për fat të keq, dhe u hap në mënyrë shumë të poshtër për hir të vërtetës nga doktor Saliu dhe pastaj nga të tjerë se vaksina kinezë është vdekjeprurëse se kinezët e kanë ndalur për moshën mbi 60-vjeç, që kinezët na paskan çuar dhe një letër që na thonin mos e përdorni për moshën mbi 60-vjeç, që vaksina që kemi marrë ne qenka e skaduar. Nuk e di se ku gjendet në shpirtin njerëzorë një zonë kaq e zezë që mund të prodhojë të tilla fjalë për t’i përhapur në kushte kur njerëzit janë në ankth, dhe në kushte kur njerëzit kanë nevojë për mbështetje, për siguri dhe solidaritet. Megjithatë, kjo është një enigmë që nuk do ta zgjidhim dot ne. Ajo që dua të them është se kinezët ndoqën një strategji tjetër. Kinezët nuk filluan nga lart poshtë por filluan nga vaksinimi i krahut të punës dhe faktikisht pjesën 60 plus e lanë për më pas. Filluan të vaksinojnë 60 plus nga mesi i marsit dhe në qarkoren e fundit të komitetit shkencor, ata tani i kanë hapur rrugë vaksinimin masiv dhe për moshën plus 60”, tha Rama.

Rama tha se nuk ka nevojë për të pas skepticizëm apo për të patur merak sepse vaksinat që po bëhen janë absolutisht të sigurta.