Nesër Shqipëria mban zgjedhjet e përgjithshme. Në të gjithë vendin ka nisur procesi i ndarjes së materialeve zgjedhore. Procesi i votimit do të nisë nesër në orën 07:00 deri në 19:00. Fushata elektorale është mbyllur të premten dhe sot zyrtarisht ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore në Shqipëri. Deri në orën e mbylljes së votimit, nuk është e lejuar asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve dhe veprimtarive të tjera zgjedhore të partive apo kandidatëve.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë regjistruar për të garuar 46 subjekte politike dhe tre koalicione, mes të cilave “Aleanca për Ndryshim” me 12 parti, e kryesuar nga Partia Demokratike. Të drejtën e votimit e kanë 3,588,896 shtetas shqiptarë, ndërkohë që 107,024 qytetarë votojnë për here të parë.