Nga Xhuliana Toci
Pas shpërndarjes në dhjetëra vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, vaksina e kompanisë kineze Sinovac pritet të marrë zyrtarisht miratimin nga Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo vaksinë është ndër të parat e prodhuara kundër Covid-19 dhe po përdoret gjerësisht në 20 vende, përfshirë Brazilin, Indonezinë, Turqinë dhe Serbinë, të cilat nuk kanë raportuar deri më tani viktima apo efekte anësore të rënda nga vaksinimi me dozat e Sinovac. Kjo vaksinë është ndër më të përdorurat në Kinë, por rruga që ka ndjekur ekonomia e dytë më e madhe e botës është e ndryshme nga ajo e vendeve perëndimore sa i takon vaksinimit. Ndërkohë që SHBA apo Britania filluan të vaksinonin të moshuarit në azile, Kina filloi vaksinimin masiv në mes të dhjetorit, duke përcaktuar si grupe përparësie oficerët, mjekët, punëtorët e transportit, njerëzit që kanë nevojë të udhëtojnë jashtë shtetit apo punëtorë dhe zyrtarë të qeverisë. Fokusi i Kinës është të vaksinojë qytetarë të moshës ndërmjet 18 deri 59 vjeç në vend të moshuarve, duke theksuar ata kanë më shumë gjasa të përhapin virusin.
Vaksinat e Sinovac po përdoren gjithashtu në më shumë se 20 vende, të cilat kanë vaksinuar jo vetëm moshat e reja por edhe të moshuarit, që kanë qënë në shumë vende grupe prioritare, së bashku me mjekët. Ekspertët e OBSH-së kanë thonë se nga analiza e të dhënave të provave klinike të vaksinës së prodhuar nga Sinovac kanë arritur në përfundimin se ajo tregoi siguri dhe efikasitet kundër Covid-19. Kjo vaksinë ka të ngjarë të përfshihet në listën e përdorimit emergjent të OBSH-së në mes të prillit , pasi OBSH i ka kërkuar Kinës më shumë të dhëna mbi efektin e vaksinës në grup mosha të ndryshme. Kina në fakt filloi vetëm para disa ditësh vaksinimin me vaksinën e Sinovac dhe Sinopharm të qytetarëve mbi 60 vjeç. Kina vendosi të vaksinonte fillimisht fuqinë punëtore në mënyrë që të mund të mbante të hapur ekonominë, por pas ritmit të shpejtë të vaksinimit në këto grupmosha, disa qytete, duke përfshirë Pekinin dhe Shangain, hapën zyrtarisht vaksinimin për të qytetarët mbi 60 vjeç, me shëndet të mirë fizik.
Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë po vazhdojnë të procedojnë me kujdes, duke deklaruar se ka në fakt mungesë të dhënash, pasi kompania Sinovac duket se kanë përfshirë më pak njerëz të moshuar në provat klinike, krahasuar me homologët e tyre perëndimorë. Kjo vaksinë, e cila po përdoret tek të gjithë qytetarët e rritur në Turqi, Brazil, Serbi, Indonezi, ka një efektivitet rreth 60%. Deri më tani nuk ka të dhëna që tregojnë se ajo nuk funksionon apo nuk është e sigurt për të vaksinuar të moshuarit, por dyshimet, ashtu si në rastin e vaksinës së prodhuar nga Astrazeneca, kanë lindur sepse kompania kineze nuk kishte përfshirë të moshuarit gjatë provave klinike.
Vonesa e Kinës në vaksinimin e të moshuarve e veçon atë nga pjesa tjetër e botës, duke përfshirë vendet si Brazili, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat po përdorin vaksina nga kompanitë kineze Sinopharm ose Sinovac BioTech. Në këto vende, rregullatorët kanë marrë të njëjtat të dhëna dhe i peshuan ato kundrejt rreziqeve të një sëmundjeje vdekjeprurëse dhe vendosën të vaksinojnë të gjithë popullsinë. Një banor i moshuar vaksinohet në Pekin, ku qytetaret mbi 60 vjeç po marrin vaksinat anti Covid-19. Ekspertët thonë se nuk ka asnjë shenjë deri më tani se cilado prej këtyre zgjedhjeve është e gabuar. Kina nuk ka përhapje të vazhdueshme lokale të Covid-19, ndërsa provat e hershme nga Brazili dhe Turqia kanë treguar ulje të rasteve të rënda me Covid-19 pas vaksinimeve të Sinovac, sipas shkencëtarëve të përfshirë në provat klinike.
Nuk ka asnjë indikacion që këto vaksina janë të pasigurta tek të moshuarit. Por disa ekspertë ankohen për mungesën e të dhënave për sigurinë dhe efikasitetin. “Nuk ka asnjë arsye për të besuar se këto vaksina nuk mund të përdoren tek të moshuarit, por shqetësimi është se këto grupmosha nuk janë përfshirë në provat klinike,” tha virologu Jin Dong-yan, profesor në shkollën mjekësore të Universitetit të Hong Kongut. Çështja kryesore, sipas ekspertëve, është se pa këto të dhëna, autoritetet shëndetësore do të vaksinojnë një grup të prekshëm pa ditur nëse vaksina funksionon mirë. “Ekziston një rrezik shumë i lartë i vdekjes nga Covid-19, pothuajse 10 herë më i lartë, për njerëzit mbi 75 vjeç,” tha John Donnelly, epidemiolog amerikan. “Të gjithë duam të dimë sa mirë funksionon vaksina tek njerëzit e moshuar. Sidoqoftë duke pasur parasysh që të moshuarit zakonisht kishin më pak efekte anësore krahasuar me të rinjtë, zgjedhja më e mirë është të përdorësh çdo vaksinë që kemi dhe të monitorojmë nga afër efektet . Është e diskutueshme, por e nevojshme”, shton ai.
Kina nuk ka qenë e vetmja që është akuzuar për të dhëna të mjaftueshme në lidhje me grupmoshat mbi 60 vjeç. Kanadaja dhe Gjermania fillimisht zgjodhën të mos rekomandonin një vaksinë të zhvilluar nga ndërmarrja britanike-suedeze AstraZeneca për vaksinimin e qytetarëve mbi 65 vjeç derisa të kishte më shumë të dhëna të disponueshme, ndërsa Britania miratoi përdorimin e saj. “Vaksina kineze nuk ka gjasa të mos funksionojë, thjesht mund të funksionojë më pak”, tha Naor Bar-Zeev, nëndrejtor në Qendrën Ndërkombëtare të Vaksinave në Universitetin Johns Hopkins në SHBA. “Në këto kushte, është një çështje etike dhe politike.
Rregullatorët e Kinës mund të jenë duke pritur që të dhënat e efektivitetit për vaksinat e tyre të vijnë nga përdorimi i tyre jashtë shtetit, thonë ekspertët. Në Brazil, shkencëtarët në Instituto Butantan, i cili zhvilloi provat klinike të fazës 3 të vaksinës Sinovac, po kryejnë studime mbi banorët që janë vaksinuar, përfshirë të moshuarit. Raportet paraprake nga autoritetet shëndetësore në disa zona në Brazil gjithashtu tregojnë disa efekte anësore të lehta tek grupmoshat e reja, por jo tek të moshuarit, të cilët kanë qënë të parët që u vaksinuan në vendin e Amerikës Latine.
Mbetet e paqartë saktësisht se cilat rezultate të provës klinike po presin autoritetet shëndetësore të Kinës para se të vaksinojnë të gjithë të moshuarit dhe jo vetëm ata pa sëmundje shoqëruese. Autoritetet shëndetësore që kanë parë të dhënat e Sinovac kanë raportuar nivele të efikasitetit që variojnë nga 50% në 62%. Provat klinike të realizuar nga Turqia ndërkohë, zbuluan së Sinovac kishte një efektivitet prej 83.5% kundër koronavirusit. Këok Kin On, një profesor i Universitetit Kinez të Hong Kongut, tha se qeveria kineze ka qënë duke pritur për më shumë të dhëna pasi të moshurit nuk përbëjnë rrezik për përhapjen e pandemisë më shumë sesa të rinjë që studiojnë apo punojnë. “Në këtë moment, situata në Kinë është mjaft e mirë, të moshuarit janë në rrezik të ulët sepse përhapja e komunitetit nuk është shumë aktive,” tha ai. Hong Kongu është midis vendeve që kanë miratuar vaksinën e Sinovac për përdorim emergjent tek të moshuarit, pasi një valë të tretë tragjike gjatë verës. Ka pasur 10 vdekje, kryesisht midis të moshuarve, të sëmurë kronikë, pas vaksinimeve, por autoritetet shëndetësore deri më tani nuk kanë gjetur asnjë lidhje me vaksinën.
Në Shangai, i cili javën e kaluar filloi vaksinimin e të qytetarëve të moshës mbi 60-75 vjeç që nuk vuanin nga sëmundje kronike, autoritetet thonë se do të shohin sesi do të ecë vaksinimi tek kjo grupmoshë për të vazhduar më pas me vaksinimin e atyre me sëmundje kronike. Tema/