Më shumë se 610 milionë doza vaksinash janë administruar në të gjithë botën, e barabartë me 7,9 të tilla për çdo 100 persona, ndërkohë që ekziston tashmë një hendek i fortë midis programeve të vaksinimit në vende të ndryshme, me shumë vende që akoma që nuk kanë raportuar një dozë të vetme, sipas “The New York Times”. Po, si paraqitet gjendja në Ballkanin Perëndimor?
Shqipëria-Shqipëria ka siguruar 2,7 milionë vaksina antiCovid-19, 282 520 prej të cilave kanë mbërritur në vend. Pas fillimit të vaksinimit masiv, në vend vaksinohen çdo ditë rreth 20 000 persona. Procesi i vaksinimit masiv ka nisur më 29 mars, në qendrat shëndetësore dhe në qendrat e përqendruara të vaksinimit, që janë shtrirë në të gjithë vendin. Vaksinimi antiCOVID-19 në kuadër të fushatës ”Shqipëria buzëqesh”, nisi më 11 janar me mjekët dhe infermierët dhe stafet mbështetëse shëndetësore. Në total janë kryer 155 463 doza të vaksinës antiCOVID-19.
Serbia-Serbia, edhe për nga furnizimi me vaksina por edhe sa i përket vaksinimit të shtetasve të saj renditet e para në mesin e vendeve të rajonit, por edhe ndër vendet më të suksesshme në Evropë, sipas AA-së. Serbia është furnizuar me mbi 2,3 milionë doza të vaksinave të prodhuesve të ndryshëm, ndërsa deri dje në Serbi janë vaksinuar 1 435 000 persona me dozën e parë, ndërsa 1 017 000 persona kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Sekretari shtetëror i Ministrisë serbe të Shëndetësisë, Mirsad Xherlek, njoftoi se Serbia gjatë muajit prill do të marrë vaksina nga kompanitë Pfizer, Sputnik V, Sinopharm, si dhe nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Mali i Zi-Mali i Zi deri më tani është furnizuar me 68 mijë vaksina. Prej tyre, 30 mijë janë të kompanisë kineze Sinopharm, 14 mijë vaksina ruse Sputnik V dhe 24 mijë doza AstraZeneca nëpërmjet programit COVAX, po sipas AA-së. Deri më 28 mars në mbarë vendin janë administruar 17 746 doza të vaksinës ose 2,9% e popullsisë.
Maqedonia e Veriut-Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot gjatë aktivitetit të pranimit të 40 mijë vaksinave Sputnik V nga Serbia, tha se deri më tani në vend kanë arritur 78 100 doza të vaksinave, sipas MIA-s. Ai sqaroi se fillimisht nga Serbia u siguruan 8 100 vaksina BioNTech/Pfizer, ndërsa më pas, në vend arritën 6 000 vaksina Sputnik V nga Rusia. Sipas faqes zyrtare të dedikuar për informacione në lidhje me vaksinimin, në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë vaksinuar 7 735 persona.
Bosnje-Hercegovina-Ndërkohë, në Bosnjë e Hercegovinë nëpërmjet programit COVAX kanë mbërritur 23 400 doza të vaksinës BioNTech-Pfizer dhe 26 400 doza të vaksinës AstraZeneca, sipas AA-së. Republika Srpska ka siguruar 42 000 doza vaksina Sputnik V, ndërsa Serbia i ka dhënë donacion Bosnje-Hercegovinës 10 mijë doza shtesë. Sipas të dhënave të siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, deri më 23 mars janë vaksinuar gjithsej 7 258 persona. Ndërkohë, Republika Srpska ende nuk ka një regjistër qendror të personave të vaksinuar.
Kosova-Më 28 mars Kosova nëpërmjet programit COVAX ka pranuar 24 000 doza të vaksinës AstraZeneca. Ky kontingjent është në kuadër të 100 800 dozave të vaksinës së AstraZeneca-s që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX. Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), numri i të vaksinuarve në Kosovë deri më tani ka arritur në 679.