Sipas projektdraftit që do të paraqitet sot në Këshillin e Ministrave, pritet të rikthehen zonat e verdha dhe “certifikata e gjelbër” për udhëtimet midis rajoneve. Masat, të cilat do të fillojnë nga 26 prilli, siç u parashikua javën e kaluar nga qeveria, duhet të jenë të vlefshme deri më 31 Korrik.
Nga 26 prilli, restorantet do të rihapen në zonën e verdhë për drekë dhe darkë “me konsum në tryezë vetëm jashtë”, ndërsa nga 1 qershori restorantet me hapësira të brendshme do të jenë në gjendje të hapen, por vetëm për drekë.
Drafti parashikon, gjithashtu, hapjen e pishinave të jashtme, tregjeve dhe qendrave tregtare në zonën e verdhë nga 15 maji; nga 1 qershor hapjen e palestrave;, nga 1 korrik panairte, konferencat dhe kongreset, parqe tematike.
Gjithashtu, do të paraqitet edhe “certifikata e gjelbër” për udhëtime midis rajoneve me ngjyra të ndryshme. Certifikata mund të jetë në format letër ose dixhitale dhe do të jetë e vlefshme për gjashtë muaj për të vaksinuarit dhe për ata që janë shëruar nga COVID-19. Nga ana tjetër, certifikatat do të jenë të vlefshme për 48 orë për ata që kanë kryer analiza molekulare ose antigjene, të lëshuara nga institucionet shëndetësore ose farmacitë.