Partia Demokratike ka pranuar se ka ngritur një grup të armatosur për të mbrojtur votën. Siç konfirmoi sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi, struktura është e pranishme në të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe është e përbërë nga ish policë ose ish anëtarë të forcave speciale që veprojnë të armatosur. Zyrtarisht janë në zotërim të armëmbajtjes me leje si truproja, por në të vërtetë funksioni i tyre është tjetër gjë. Siç tregojnë këto pamje të filmuara dje në mëngjes në Elbasan, anëtarët e Strukturës për Mbrojtjen e Votës (SMV) lëvizin nëpër qytete me tre furgonë që bëjnë patrullime të vërteta duke ndjekur një taktikë ushtarake dhe organizojnë deri postblloqe. Kjo foto, e bërë dje paradite në Elbasan, tregon ish forcën e Reneas Arbër Paplekaj i cili me një pistoletë në dorë ndalon për kontroll makinën e një kundërshtari politik pasi dyshon se ka bërë shitblerje të votave.
Pikërisht Arbër Paplekaj ishte autori një orë më vonë pasi është bërë kjo fotografi nga një qytetar i zakonshëm, i vrasjes së mjekut psikiatër Pjerin Xhuvani, tani aktivist i Partisë Socialiste. Patrulla e PD e “Strukturës për Mbrojtjen e Votës” e drejtuar nga Paplekaj gjate patrulimi kishte ndaluar një mercedes ML në të cilën dyshonte se ishin fshehur para’ dhe karta identiteti. Shoferi refuzoi të kontrollohej nga këta njerëz të armatasur dhe pa asnjë uniformë dhe i ka kërkuar ndihmë në telefon shokëve të tij. Mes këtyre shokëve që erdhën në ndihmë të tij ishte dhe Pjerin Xhuvani. Ngjarja u pasua nga një konflikt me armë. Nuk kuptohet akoma se pse Arbër Paplekaj që ishte një qitës i aftë, mori në shënjestër kokën e Pjerin Xhuvanit, që ka rezultuar nga hetime ishte i paarmatosur. Një krim me qëllime politike, të cilin as Partia Demokratike dhe as Presidenti i Republikës, nuk e dënuan. Përkundrazi, Partia Demokratike e justifikoi vrasjen duke shpjeguar se ishte provokuar nga bandat socialiste që bëjnë shitblerje të votës me urdhër të Taulant Ballës. Si të thuash se Strukturat për Mbrojtjen e Votës të Partisë Demokratike kanë të drejtë të vrasin.
Në shumë raste, anëtarët e kësaj SMV (Strukture për Mbrojtjen e Votës), janë ish policë të shkarkuar nga funksione për krime të ndryshme, si Emiljano Prenga, edhe ai pranishëm në vrasje, e që mbeti i plagosur. Prenga ishte arrestuar për kanosje në 2017 dhe i shkarkuar nga policia.
Përtej dinamikës ekzakte të vrasjes në Elbasan, mbi të cilën po heton policia dhe prokuroria, ekzistenca e grupeve të armatosura të përdorura nga PD për kontrolle selektive ndaj militantëve të partive kundërshtare, është një skandal pa precedent. Rasti i Elbasanit nuk është një rast i vetëm dhe i izoluar. Nga këto pamje të shpërndara nga Sali Berisha dhe Ilir Meta me krenari, duken dy persona të një makine, të shqetësuar dhe të keqtrajtuar nga një patrullë SMV e PD-së në aksion në Fushë Arrëz, që pretendon se i ka kapur duke blerë vota. Posblloqe dhe kontrolle ilegale nga ana e këtyre bandave të armatosura të organizuara nga opozita po sinjalizohen edhe nga zona të tjera të Shqipërisë. Në Berat u bllokua me të njëjtën metode një furgon tjetër që sipas njësive paraushtarake të PD transportonte ndihma me qëllim blerjen e votave. Mbrëmë në Tiranë një nga këto banda sekuestroi në mënyrë arbitrare një ngarkesë me ushqime e destinuar për Iftar. Në krye të patrullës së PD-së ishte Florenc Hoxha, një tjetër ish polic me precedent kriminalë.
Krijimi i bandave të armatosura paraushtarake për të mbrojtur votën, në të vërtetë duket se ka për qëllim të terrorizojë opinionin publik. Forcat politike e kanë për detyrë të denoncojnë krime elektorale për të cilat janë dëshmitarë, por këtë duhet ta bëjnë pranë institucioneve shtetërore, por nëse pretendojnë të bëjnë vetëgjyqësi, bëjnë nga ana e tyre një krim penal shumë më të rëndë se shitblerja e votave. Krijimi i bandave të armatosura dënohet nga kodi penal deri me 20 vjte burgim.
Gazmend Bardhi, ish ministër i drejtësisë dhe kandidat për të bërë Ministrin e Brendshëm në një qeveri të mundshme të PD, është mes ideatorëve të këtyre strukturave të armatosura me aprovimin sigurisht të Lulzim Bashës dhe të Sali Berishës, që tani është treguar i zoti deri edhe ta justifikojë vrasjen nëse kjo vlen për të mbrojtur fitoren e tij zgjedhore. Çfarë do të ishte e gatshme të bënte Partia Demokratike nëse nesër do të kthehej në pushtet?