Kandidatët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit kanë zhvilluar takime entuziaste në lagjet 5 dhe 6 të qytetit të Durrësit. Kandidatet Klodiana Spahiu dhe Keida Ferra shoqëroheshin edhe nga kryetarja e bashkisë Emiriana Sako dhe në bashkëbisedime me banorët i kanë informuar këta të fundit në lidhje me programin e rindërtimit dhe projektet më të rëndësishme që synojnë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të qytetit. Në fjalën e saj deputetja socialiste Klodiana Spahiu deklaroi se janë 3 projekte të rëndësishme që do ta transformojnë qytetin siç është lagja e re në Spitallë ku ka filluar puna dhe përveç 1 mijë apartamenteve që do të ndërtohen aty do të ketë edhe të gjithë infrastrukturën sociale, shëndetësore e arsimore duke qenë lagje model urbane.
Po kështu deputetja Spahiu shtoi se: “edhe Eco Parku që po ndërtohet në atë zonë do të jetë ndër më të bukurit në vend, ndërsa ndërtimi i portit turistik është ndër investimet më të rëndësishme të Durrësit”. Deputetja Spahiu deklaroi se të gjitha investimet që janë bërë e do të vijojnë të bëhen në qytet synojnë ta kthejnë Durrësin në një nga qytetet më të rëndësishëm turistikë të Ballkanit.
Kandidatja Keida Ferra duke folur në lidhje me eleminimin e pasojave të tërmetit, tha se: “më vjen mirë që i jeni kthyer normalitetit pas një punë mjaft të mirë që është bërë nga bashkia e Durrësit në bashkëpunim me qeverinë. Janë riparuar mjediset e përbashkëta të pallateve, shkallë dhe ashensorë, duke i bërë pallatet dhe banesat tuaja më të sigurta. Po punohet fort edhe për vaksinimin dhe ju e shihni se po vaksinohet një numër i madh qytetarësh dhe fasha e moshës që do të vaksinohet do të ulet poshtë moshës 65 vjec. Kjo është gjë e mirë që më në fund ne do i kthehemi normalitetit”. Keida Ferra iu drejtua banorëve të lagjes nr 6 se njerëzit duhet ta kuptojnë se Partia Socialiste është e vetmja alternativë që mund të na cojë përpara dhe vota për PS është detyrim dhe përgjegjësi qytetare.
Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako tha se: “mbi 10 mijë familje kanë përfituar deri tani grantin e rikonstruksionit, në 400 pallate ka përfunduar riparimi i ambienteve të përbashkëta, vijon me shpejtësi ndërtimi i banesave individuale, janë rindërtuar deri tani 14 shkolla me standarte bashkëkohore dhe puna po vijon me shpejtësi dhe Durrësi po ringrihet”. Kryebashkiakja Sako iu ka shpjeguar banorëve të lagjes 5 dhe 6 edhe fazën aktuale të rindërtimit, atë që lidhet me forcimin e pallateve DS4. “Kjo është një fazë komplekse dhe më e vështira, pasi nevojitet ndërhyrje në strukturën e pallatave. Për cdo pallat të tillë studio e projektimit ka hartuar projjektin përkatës për mënyrën e ndërhyrjes dhe më pas ky projekt shqyrtohet dhe i bëhet oponenca edhe në Institutin e Ndërtimit.
Ne jemi të qetë në lidhje me faktin se ndërhyrja që sugjeron studio e projektimit dhe miratimi i Institutit, janë garanci për të ardhmen e këtyre pallateve”. Aktualisht ka nisur puna në katër pallate DS4, ndërsa për 10 të tjerë bashkia ka marrë fondet nga Ministria e Rindërtimit dhe pritet shpallja e njoftimeve për procedurën e prokurimit publik. Studio e projektimit ka planifikuar që e gjitha puna në terren të zgjasë 6 muaj për secilin pallat, por kryetarja e bashkisë ka garantuar se koha për kryerjen e punimeve do të jetë më e shkurtër. Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako theksoi se procesi i rindërtimit ka patur mbështetjen maksimale të qeverisë dhe të kryeministrit Rama dhe tashmë të gjithë po shohin që Durrësi po ringrihet. Po kështu kryebashkiakja Sako dhe kandidatët socialistë të Durrësit biseduan me qytetarët edhe për investimet e tjera që janë bërë e që do të vazhdojnë të bëhen në qytetin bregdetar e që do ta transformojnë tërësisht këtë qytet.