Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se sot pritet të vijnë doza të tjera vaksinash Pfizer dhe Coronavac (të Sinovac). Lajmin e bëri të ditur Ministrja Manastirliu në emisionin “Wake up” në Top Channel.
“Pritet që ditën e sotme dhe ditët në vijim të vijnë sërish vaksina në kuadër të kontratave që ne kemi nënshkruar. Pritet që sot të mbërrijnë vaksina të Pfizer, rreth 8100 vaksina nga kontrata jonë 500 mijë doza vaksine me kompaninë Pfizer. Dhe gjithashtu edhe sasi e konsiderueshme e vaksinave Coronavac, të Sinovac që pritet të mbërrijnë ditën e sotme”, tha Manastirliu.
Duke folur për përzgjedhjen e vaksinave nga qytetarët dhe sigurinë e tyre, Manastirliu tha se qytetarët duhet të vaksinohen me vaksinat që janë disponibël.
“Aktualisht nuk ka një aspekt dëshiror në zgjedhjen e vaksinave. Vaksinat janë të gjitha për përdorim në popullatë. Ekspertët kanë rekomanduar, duke qenë se ka studime, jo se mund të themi që bën më mirë apo më pak mirë, por thjesht që ka më shumë evidence shkencore e kanë vlerësuar dhe kanë rekomanduar për përdorim tek personat të cilët trajtohen me dializë apo persona të cilët janë të transplantuar. Por kjo jo për arsye se nuk funksionojnë vaksinat e tjera, por thjesht se ka më shumë studime shkencore që e mbështesin këtë”, tha Manastirliu.
E pyetur për pajisjen e qytetarëve me pasaportën e vaksinimit, Manastirliu tha: “Nuk duhet të jetë ky merak se nuk ka asnjë vendim të BE. Është duke u diskutuar për një pasaportë që do lejojë lëvizjen, por janë duke diskutuar edhe disa komponentë. Ende nuk ka asnjë vendimmarrje nga BE për të patur një certifikatë deri tani. OBSH ka thënë kjo certifikatë është e vështirë për t’u prodhuar, por jam e bindur se do arrihet në një rezultat që të mos ketë një diskriminim të vendeve që nuk kanë pasur vaksina dhe të lejohet kalimi se është vërtetuar sëmundja, apo një test negative”, tha Manastirliu.
Në bisedën në studio Manastirliu ka zbuluar se nuk e kaluar Covid19, dhe se nëse do të vinte rradha për t’u vaksinuar do ta bënte më vaksinën që do të ishte disponibël.
“Unë nuk e kam kaluar covid, dhe jam bazuar shumë në ato këshilla që u kemi thënë që nga fillimi qytetarëve, dhe kjo më ka ruajtur deri tani. Jo nuk do e zgjedh vaksinën, do marr atë që është në radhë, se një vaksinë është një jetë e shpëtuar. Kur të vijë radha e moshës plus 40 do e marrë”, tha Manastirliu.