Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi kandidate për deputete në listat e PS-së për Tiranën, Elisa Spiropali u shpreh sot se në zgjedhjet e 25 prillit nuk do të guxojë asnjë parti të blejë votat, pasi sipas saj, PS do ta mbrojë votën e qytetarëve përmes ligjeve të forta. Spiropali tha për rubrikën ‘Opinion’ se LSI është partia kampione, që në gjithë këto vite e ka bazuar gjithë strategjinë e saj te blerja e varfërisë. “PS nuk ka blerë ndonjëherë votën e qytetarëve. Ne e bazojmë forcën tonë elektorale tek idetë tona, te punët që kemi kryer, tek ideologjia, etj. Nuk e besojmë ne te vjedhja e votës. Dhe c’është e drejta as PD nuk është shquar për këtë.
E para është LSI, është kampione. Të gjithë strategjinë e saj elektorale në vite e ka bazuar te blerja e varfërisë, gjetja e eksponentëve që mund t’i ofrojë përmes lloj-lloj formash ryshfeti, etj. Ne do ta mbrojmë votën përmes ligjeve të forta. Nuk besoj se ka njeri aq të marrë, që të shkojë në burg. Nuk guxon njeri, kur nuk e mbron askush, të shkojë në burg”, tha Spiropali. Më tej, Spiropali sulmoi kreun e PD, Lulzim Basha, duke thënë se ai nuk mund të ndalojë korrupsionin, kur sipas saj, është vetë i zhytur në korrupsion. “Lulzim Basha e ka të kotë kur flet për anëtarësimin në BE, sepse jemi në fushatë. Këto sloganet e tij tingëllojnë të lodhura, pasi ai e ka treguar me fakte se c’bën partia e tij për të bllokuar procesin e integrimit. I gjithë programi i PD është i bazuar te kap c’të kapësh, gënje kë të gënjesh, të marrësh ndonjë votë, se ndryshe na nxjerrin nga partia.
As metafora e ‘detit kos’ nuk funksionon këtu. Ky do ulë të gjitha taksat dhe do rrisë pagat, kontributet, pensionet etj. Do ndalë korrupsionin ai që vetëm gishtin e ka jashtë, sepse gjithë trupin e ka brenda. Ky i tëri ka qenë i zhytur në korrupsion. Ky është ministri i Rrugës së Kombit, që s’u përgjigj kurrë. Është ministri që bëri marrëveshjen e detit pa asnjë transparencë. Basha është i moçën, nuk doli tani në skenë si dhëndër i ri. Ishte dhe më 21 janar ministër i Brendshëm, kur bëri si çun i mirë. Ky nuk është as Zoti i shtëpisë, i PD. Është ndryshe të kesh atë tabelën kryetar e ndryshe të jesh Zot i partisë.
Këtë e komandon Ilir Meta e Monika Kryemadhi. Meta nuk është sjellë asnjë ditë si President, ai bën fushatë. Lulzim Basha nuk e ka garën me ne, po me Ilir Metën, se kush do të drejtojë opozitën. Këta janë një çorap i madh”, u shpreh ministrja. Ndërkohë, e pyetur lidhur me raportet e ndërkombëtarëve të IT dhe DASH, që flisnin për korrupsion në nivele alarmante në Shqipëri, dhe si do ta luftoni ju korrupsionin, Spiropali u shpreh se “Raporti i IT është bërë këtu, nga njerëz shumë pranë PD, që thonë fjalët e Ilir Metës.
Ne nuk e luftojmë dot korrupsionin me frymën e shenjtë, por me sistem. Raporti i DASH evidenton pika të forta dhe pika të dobëta dhe nuk është fare që DASH ka nxjerrë raportin për Shqipërinë. Është një raport krejt normal, si çdo vit. Ne e dimë pandëshkueshmërinë, ndaj po e bëjmë Reformën në Drejtësi. Ilir Meta ndaj doli nga binarët se kjo reformë sot po funksionon. Korrupsioni nuk luftohet duke i dhënë nga një anë mbështetje partiake. Ne nuk bëhemi strehë për askënd. Kemi ngritur institucionet e reja, që të merren me të gjithë, për të dëshmuar që pandëshkueshmëria nuk ekziston më në këtë vend. Provat e para janë dhënë. Ne prandaj e ngritëm këtë reformë të guximshëm, në mënyrë që as presidenti dhe askush tjetër të mos dalë mbi ligjin”.