Njësia 2 është fitorja e radhës e Partisë Socialiste në Tiranë. Erion Veliaj, së bashku me deputetin e PS, Arben Pëllumbi, kanë falënderuar çdo votues që i ka besuar për një mandat të tretë Partisë Socialiste. “Jam shumë i lumtur që është një njësi që ka disa nga investime tona ikonë, duke filluar nga stadiumi “Arena Kombëtare”, Piramida, shkolla Kosova, shkolla e Baletit, kështu që nuk ka rëndësi nëse jeni nga Sauku, apo nga rruga e Elbasanit, faleminderit të gjithë qytetarëve, nga Njësia 2 për këtë bekim të madh dhe për këtë mbështetje të madhe që na keni dhënë,” u shpreh Veliaj duke shprehur mirënjohjen e thellë edhe për çdokënd që është angazhuar për këtë fitore, komisionerët, numëruesit apo të deleguarit e PS në këtë zonë.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste nuk la pa përmendur kandidaten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila garonte në këtë njësi, që tashmë i shtohet zonave humbëse të opozitës në kryeqytet. “Puna e parë që duhet të bëjmë është shtrirja e dorës për kundërshtarët tanë. Ka qenë një njësi ku kemi pasur një betejë shumë të forte, duke filluar nga Presidenti i Republikës, te shoqja ime e vjetër Jorida, por në këtë moment, çfarëdo dallimesh që kemi, ose qejfmbetjesh nga fushata, çdo lloj pakënaqësie, duhet të jetë pjesë e së kaluarës dhe duhet të shohim përpara. Ajo që i kam kërkuar Benit është që sot të telefonojë Joridën dhe t’i thotë që beteja mbaroi, pati një fitues për njësinë tonë, por nga tani të dy deputetët, si Beni që përfaqëson skuadrën fituese, por dhe mikesha jonë, që përfaqëson opozitën, do të duhet të punojnë bashkë që Njësia 2 të vazhdojë të ecë akoma më përpara dhe ne t’iu shërbejmë të gjithëve njësoj, pavarësisht bindjeve politike dhe pavarësisht angazhimeve të fushatës,” theksoi Veliaj.