Nga ALfred peza/
Lulzim Basha po i fyen inteligjencën votuesve shqiptarë, duke besuar se ata do ta vlerësojnë atë, vetëm për këto tetë javët e fushatës së tij elektorale dhe jo për tetë vitet e fundit të drejtimit të PD dhe të opozitës. Lulzim Basha ka veshur këto javë lëkurën e deles, duke shpresuar se do tia harrojnë zakonet që kishte para se të ndërronte qimen dhe tia varin kësisoj me duart e tyre, mëlçitë e pushtetit në qafë!

Çdokush që nuk është një opozitar militant dhe që ka gjithë ftohtësinë e nevojshme të gjykimit dhe distancën e duhur emocionale, mund të pyesi në këto ditë të fundit të garës për 25 prillin:

A duhet ti besojmë Lulzim Bashës së dikurshëm të çadrës së “Republikës së Re”, apo Lulzim Bashës që e ka shpallur veten sot, si liderin më europian i Shqipërisë?

A duhet ti besojmë Lulzim Bashës së djegies së mandateve të deputetëve të opozitës, apo Lulzim Bashës që thotë se do të na fusi në Europë, brenda 100 ditëve pasi të bëhet Kryeministër?

A duhet ti besojmë Lulzim Bashës që prin turmat duke kënduar himnin kombëtar, për të sulmuar me “Molotov” institucionet kushtetuese të vendit, apo Lulzim Bashës që bën sikur është sot njeriu më paqësor mbi këtë planet?

A duhet ti besojmë Lulzim Bashës që bojkoton zgjedhjet për pushtetin lokal, apo Lulzim Bashës që kërkon të gjejë sot, gjilpërën në kashtën e pushtetit qëndror?

Sepse që të bëhesh Kryeministër i vendit, duke rikthyer pas 8 vitesh në pushtet partinë dhe opozitën që drejton, duhet të kesh dhënë më parë të gjitha provat përpara shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se e meriton këtë.

Duhet të kesh dhënë më parë, provën e respektimit të votës së qytetarëve.

Duhet të kesh dhënë më parë, provën e respektimit të institucioneve kushtetuese të vendit.

Duhet të kesh dhënë më parë, provën e respektimit të sistemit demokratik e politik të vendit.

Duhet të kesh dhënë më parë, provën e respektimit të Kushtetutës dhe të rregullave të lojës e të bashkëjetesës në pluralizëm.

Duhet të kesh dhënë më parë, provën e respektimit të sistemit të drejtësisë dhe jo atë të shpëtimit prej saj me procedurë, apo të bërjes së gjithçkaje për të penguar reformën e saj.

Lulzim Basha ka ngelur sistematikisht për tetë vjet me radhë në çdo lëndë demokracie. Ndërsa tani që ka ardhur sezoni i provimit elektoral përballë qytetarëve, kërkon tu tregojë atyre vetëm me fjalë e përmes aktrimit të një filmi me skenar të huaj, se është nxënësi më i mirë i klasës politike.

Qoftë edhe vetëm për këtë, ai duhet të ndëshkohet në mënyrën më shembullore të mundshme, sepse çudia në këtë vend vërtetë zgjat vetëm tre ditë, por kjo nuk do të thotë se shqiptarët janë gati të gënjehen kësisoj edhe tani pas 30 vjetësh përvojë pluraliste.

Ajo çfarë Lulzim Basha po aktron në këto tetë javët e fundit të fushatës elektorale, është treguesi më i qartë, se ai e paska ditur shumë mirë sesi duhej të sillej, por për tetë vjet ka bërë krejt të kundërtën. Çka të bën të besosh se:

Ose Lulzim Basha i vërtetë ishte ai i këtyre dy mandateve në opozitë dhe tani në fushatë po na gënjen. Ose Lulzim Basha i vërtetë është ky i këtyre tetë javëve të fundit dhe në tetë vitet e shkuara, ai ka qenë thjeshtë një dordolec për të trembur laraskat e arës së Sali Berishës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Rrugë të mesme, as ka patur, e as nuk mund të ketë!

Ndërsa Edi Ramës, kundërshtarit direkt të Lulzim Bashës në garën për Kryeministër, mund ti thuash çdo gjë por jo se nuk ka qenë vetëvetja; edhe atëherë kur ishte në opozitë, edhe këto 8 vjet në krye të qeverisë. Qoftë edhe për kaq, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin shumë qartë, se për kë prej tyre duhet të votojnë të dielën.