Teuta fiton pastër 0-2 në fushën e Apolonisë dhe shkëputet në krye të klasifikimit të Superiores me 2 pikë më shumë se Vllaznia ndjekëse. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini përmbushi pritshmëritë në “Loni Papuçiu”, ku shënoi nga një gol në çdo pjesë, për ta mbyll fazën e tretë si lidere e kampionatit.
Lorenco Vila zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të, teksa shtyu me lehtësi drejt rrjetës topin e pasuar nga Blerim Krasniqi. “Djemtë e Detit” ishin dominues gjatë pjesës së parë, por pa mundur të shënonin gola të tjerë. Sapo nisi fraksioni i dytë, Krasniqi stampoi topin në traversë, kur i kishte mundësitë të ishte pak më i qetë në konkludim, ndërsa rasti i parë i rrezikshëm për Apoloninë u shënua në minutën e 52-të, me gjuajtjen e Gjatës, që përfundoi mbi tra.
Teuta shënoi golin e sigurisë me Dejvi Bregun në minutën e 55-të. Futbollisti vlonjat kontrolloi topin në krah e majtë brenda zonës, u zhvendos drejt qendrës, për të mposhtur portierin fierek me një goditje që pasi u përplas në shtyllë përfundoi në rrjetë.
Vllaznia i merr pikën e parë Laçit në këtë sezon në një barazim 0-0, që la të zhgënjyer skuadrën e Shpëtim Duros, e cila nuk mundi ta shfrytëzonte faktorin fushë. Nga ana tjetër kuqeblutë mbajnë pas në renditje një rival të drejtpërdrejtë, por humbin terren ndaj Teutës, që tashmë kryeson e vetme.
Më kërkuese Vllaznia gjatë pjesës së parë, madje momentin e parë të vështirë në portën e Laçit e krijoi që në minutën e 2-të, por Cise u ndal në momentin e fundit nga Sherri. Në të 11-tën Mevlan Adili e çoi topin me kokë paksa mbi traversë, ndërsa në një moment të artë kundërsulmi, në minutën e 38-të Xhixha i Laçit u ndal në momentin e fundit nga mbrojtja shkodrane.
Pjesa e dytë ishte më e mirë për kurbinasit, që shtuan presionin në gjysmëfushën e kuqebluve në kërkim të golit të epërsisë. Laçianët nuk u besojnë syve në minutën e 54-t, kur Harmon, pranë pikës së penalltisë, goditi fuqishëm, por mbi tra.
Ndërsa thuajse 10 minuta më vonë Mazrekaj, pasi dol fitues në përballjen me dy mbrojtës të Vllaznisë tentoi me zgjuarsi portën, por gjeti të përgatitur Zogovocin.
Shkodranët nuk ia dolën të shfrytëzonin një mundësi të artë në minutën e 81-të, me Isaevskin që nuk mundi të pasonte si duhet për Da Silvën, moment ky që mund të kishte vendosur fatin e ndeshjes. Asgjë nuk ndryshoi në minutat në vazhdim, me vërshëllimën e fundit të Bajramajt që sanksionoi barazimin 0-0, i favorshëm për rivalët e tjerë për titullin kampion, Teutën dhe Partizanin.