Nga Altin Ketro/
Ambicia politike e Lulzim Bashës për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë është legjitime dhe për këtë biem dakord të gjithë. Por që ta synosh atë detyrë duhet të tregosh në çdo kohë dhe situatë se e meriton një detyrë të tillë. Duhet të tregosh se je një aspirant që u përmbahesh disa parime me të cilat nuk bën dot kompromise.
Që një politikan opozitar të krijojë besueshmëri, duhet që me qëndrimet e tij publike, të dalë përtej vetvetes edhe në ato momente kur në fusha të caktuara qeveria arrin një sukses, apo kur personalitete të larta të politikës përfshihen në fushatë elektorale ndonëse janë në detyrë për tjetër punë.
Po i përmend shkurtimisht tri momente për të cilat prisja një qëndrim dinjitoz nga Lulzim Basha, por që në fakt shfaqën një ndër anët e tij më të errëta, hipokrizinë.
E para ka të bëjë me zbulimin ditëve të fundit të një arsenali të frikshëm armësh e municionesh luftarake. Ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm i policisë dhe prokurorisë, duke i dhënë krimit një goditje nga më të mëdhatë pas viteve të errëta që pasuan 1997-ën.
Heshtja që ka pllakosur në selinë e Partisë Demokratike, një parti që nuk lë pa komentuar nëpër konferenca shtypi edhe ngjarjet më ordinere, është po aq e frikshme sa ai arsenal i madh armësh.
Mos vallë kjo heshtje ka të bëjë me gjetjen e armëve në një magazinë e cila i përkiste vëllait të një ish-politikani të Partisë Demokratike, i promovuar dhe i zgjedhur në kohën e kryebashkiakut Lulzim Basha, si kryetar i një njësie bashkiake të rëndësishme të Tiranës?
Të mos nxjerrësh një gjysmë fjalë për këtë rast, duke bërë një distancim të prerë nga ish-funksionari i tij i dikurshëm (po që sërish ishte duke punuar fort në fushatën elektorale aktuale), tregon hipokrizinë e Lulzim Bashës dhe kupolës së asaj partie, se sa të gënjeshtërt e kanë ata luftën me krimin e organizuar.
E dyta ka të bëjë me kapjen nga Policia e Shtetit të një sasi të madhe droge në portin e Durrësit. Ky ishte sërish një sukses i madh i policisë dhe prokurorisë për të cilën nuk dëgjuam asnjë fjalë falënderuese nga Lulzim Basha. Në rast se ai do e besonte me të vërtetë se do bëhej kryeministër, do dilte nga kompleksi i inferioritetit për t’i dhënë meritat që u takojnë këtyre organeve ligj zbatuese.
Heshtja e tij, në këtë rast, ka të bëjë me faktin se lavdërimi i policisë çon ujë në mullirin e qeverisë, domethënë kundërshtarit politik në garën elektorale. E po ky nuk mund e nuk duhet të jetë mentaliteti i një pretendenti për shtetar të ardhshëm. “Jepi Cezarit atë që është e Cezarit”, thotë një shprehje e lashtë, por që në kohët e sotme përkthehet “Jepi policisë meritën që i takon”, gjë që Lulzim Basha nuk e bëri.
E treta ka të bëjë me kalimin me kohë të plotë të presidentit Meta në fushën e betejës elektorale. Atashimi i tij në qytetin bregdetar të Vlorës dhe nisja prej aty e një fushate e që u takon vetëm partive politike, duhet ta bënte pretendentin për kryeministër që të alarmohej dhe t’i kujtonte zotit president, rolin që ai ka sipas Kushtetutës.
Duke qenë se Lulzim Basha ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me bashkëshorten e presidentit, e ka jashtëzakonisht të vështirë t’i dalë kundër atij, ndaj ka zgjedhur edhe në këtë rast që të heshtë. Sigurish, Lulzim Basha beson se presidenti Meta është duke i dhënë një dorë “fitores” së tij, por pyetja që lind në këtë rast është: A do pranonte vallë Lulzim Basha, që në rolin e kryeministrit, të sfidohej në fushatë elektorale nga Presidenti i Republikës? Absolutisht që jo!
Lulzim Basha nuk mund ta shohë politikën me një optikë kaq të ngushtë, ku bëhet konformist me presidentin vetëm pse ai është kundërshtar i kryeministrit Rama, ndërkohë që në vitin 2017 i thoshte një mijë e një të zeza. Një person që pretendon se do jetë ai pasues i asaj karrigeje, duhet të dijë ta ndajë shapin nga sheqeri qysh kur është në opozitë, me qëllim që të krijojë besueshmëri se nesër nuk do të jetë po i tillë si kundërshtari që e akuzon.
Teksa afron 25 prilli, elektorati duhet të bëhet më i vëmendshëm ndaj këtyre fakteve, sepse janë detaje shumë thelbësore për të krijuar mendimin: Vallë cilin po votojmë, cilin po sjellim në pushtet? Është koha për reflektim, që vota mos shkojë dëm dhe në drejtimin e gabuar.