Vaksinimi masiv antikovid vijoi të shtunën me vaksinimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, ku në ditën e parë morën injeksionin imunizues rreth 500-600 punonjës së Policisë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pritet të vaksinohen rreth 13 mijë punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
“Mezi e kam pritur”, u shpreh një punonjës policie, ndërsa një tjetër tha se:”Jam shumë i lumtur që na erdhi dita për t’u vaksinuar”. Dikush tjetër shprehet se vaksinën “duhet ta bëjnë të gjithë”. Këto janë vetëm disa nga shprehjet e punonjësve të Policisë të intervistuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.
“Quhem Viola Hoxhaj. Jam punonjëse policie, prej gjashtë vitesh punoj në Rinas. Kemi disa minuta që jemi vaksinuar. Jemi në pritje tanimë për të kryer atë 20-minutëshin e pasvaksinimit për të parë veten nëse do të kemi ndonjë efekt anësor. Këtu janë dhe mjekët që na asistojnë. Besoj që çdokush duhet ta bëjë këtë vaksinë, sepse duhet të jetë e vlefshme kundër koronavirusit. Aktualisht jemi shumë mirë bashkë me koleget e tjera. Pavarësisht markës unë kam besim, besoj që janë fjalë që janë thjesht diskutime jo të vërteta”, – tha Hoxhaj për ATSH.
“Unë quhem Vasil, jam specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Dje na lajmëruan për mundësinë e vaksinimit. Është një hap shumë pozitiv dhe shmang dhe pasiguritë që vijnë nga COVID-19. Unë erdha dhe e bëra me shumë qejf. Unë s’e kam kaluar koronavirusin, edhe pse kam patur simptoma gripi para ca kohësh. Bëra testin dhe rezultova negativ. Më këshilluan të bëja dhe serologjikun, por sërish negativ dhe prandaj erdha me shumë qejf ta bëja vaksinën. Ia këshilloj familjes time dhe të gjithë qytetarëve që ta bëjnë këtë vaksinë”, – tha ai.
“Unë jam Gëzim Caca, jam tek sektori teknik tek Drejtoria e Policisë së Shtetit. Na thanë për t’u vaksinuar. Erdha u regjistrova, fola me një mjeke këtu, më kërkoi informacione mjekësore të mia, alergji… etj. Plotësova formularin dhe erdha tani të bëj vaksinën. Më dhanë kartën që jam vaksinuar dhe mezi e prisja. Duhet ta bëjnë të gjithë këtë vaksinë, unë besoj tek shkenca”, – u shpreh ai.
“Unë jam inspektor zone. Shumë mirë që u vaksinuam, mezi e pritëm. Mbrëmë më lajmëruan dhe më lanë orar. Shkruajta emrin, mbiemrin, plotësuam formularin dhe tani bëra vaksinën. Të gjithë duhet ta bëjnë”, – tha Daut Mara, punonjës policie.
“Na lajmëruan eprorët për mundësiën e vaksinës. Këtë proces e kemi pritur shumë mirë, pasi dhe ne e kemi të nevojshëm si komunitet. Patjetër që duhet të vaksinohen edhe punonjësit e tjerë të Policisë”, – tha Besnik Gega, punonjës policie. “Shumë mirë procesi, shumë i rregullt. Të gjithë duhet ta bëjnë këtë vaksinë. Na lajmëruan shefat për të ardhur. Është shumë i rëndësishëm vaksinimi në kuadër të betejës ndaj pandemisë COVID-19”, – tha Osman Mara, punonjës i Policisë Rrugore, Tiranë.
“Ndihemi shumë mirë që u vaksinuam, procesi është shumë i mirë. Erdhëm u regjistruam. Radhë nuk kishte, u vaksinuam dhe tani uroj ta bëjnë të gjithë”, – u shpreh për ATSH, Dylbere Kasa, specialiste në Drejtorinë e Policisë. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 172.486 doza të vaksinës kundër COVID-19.
ATSH.GOV.AL