Strukturat vendore të Shëndetësisë në Vlorë kanë reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike për procesin e vaksinimit antiCOVID, duke garantuar se procesi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë.
“Që të politizosh shëndetin e njerëzve dhe të personelit shëndetësor, tashmë është një metodë e vjetër e Partisë Demokratike, e cila, përballë një procesi tepër korrekt dhe profesional, i mbetet vetëm baltosja. Eshtë paniku edhe dashakeqësia ndaj shëndetit edhe vetë jetës në këtë qytet. që i ka errur sytë me dinamikën pozitive të profesionalizmit, në përballjen e pandemisë dhe vaksinimit”, deklaroi Bruna Mersini, drejtore e spitalit të Vlorës.
Duke nënvizuar se datat e deklaruara nga PD si të skadencës. janë data e ambalazhimit të vaksinave, Mersini tha se procesi vaksinimit në Vlorë do të vijojë me ritme të shpejta.
“Skandenca ka vetëm një fakt, ka skaduar politika e Partisë së këtyre njerëzve që prej ditës së sotme do të përballen me organet e Drejtësisë. Që të mos dish të lexosh datat e ambalazhimit edhe të përdorësh me qëllimin e vetëm atë të panikut, ka përballë vetëm një përgjigje: Garancinë 100% të procesit të vaksinimit edhe vazhdimin me ritme fantastike që jeta të vazhdojë e qetë dhe pa presionin psikologjik dhe egërsinë e pandemisë.Vaksina ka vetëm një ngjyrë. Ngjyrën e jetës dhe të karakterit për të ndaluar të keqen me pasojat e saj”, tha Mersini.