Erion Veliaj, drejtuesi politik i PS-së për Tiranën për zgjedhjet e 25 Prillit, në një lidhje direkte me Neës 24, tha se e priste që Presidenti Meta apo Grida Duma të mos e mbanin fjalën – ata nuk u dorëhoqën siç kishin deklaruar, nëse Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet. Veliaj i cilësoi ata “mashtrues kronikë”, të cilët mosmbajtjen e fjalës e shesin si virtyt.
“Kam dëgjuar lloj-lloj njerëzish, duke filluar nga burri i zonjës Kryemadhi, i cili në fakt të hënën duhet të kishte thënë dorëheqjen, por sot tha që në Korrik 2022 do kthehem te LSI. Unë s’e kam pritur kurrë dorëheqjen e Metës. Ai nuk mban fjalë e nuk ka burrni! Njerëzit që thonë jam burrë, e mbaj fjalën, janë tipikisht mashtrues kronikë, sepse një njeri që e mban fjalën nuk ka nevojë ta thotë, por thjesht e mban fjalën. Mashtruesit më të mëdhenj krenohen që vesin e kanë virtyt, pikërisht se kanë kompleks vesin e mosmbajtjes së fjalës dhe e shesin sikur e kanë një virtyt. Unë s’e kam pritur dhe as nuk u habita kurrë. Unë kam dëgjuar edhe kërcënime në Kavajë, jo vetëm nga Saliu, por edhe kandidatja tjetër që tha: “Ua them, burrash, po humba Kavajën, do jap dorëheqjen”. Dhe sigurisht që as Grida Duma s’ka për ta dhënë dorëheqjen. Kështu që, pikërisht sepse këta janë gënjeshtarë kronikë, kjo është arsyeja pse humbasin, sepse njerëzit thonë: Kur këta s’e mbajnë fjalën brenda 24 orëve, çfarë do bëjnë këta për realitetin tim në Kavajë apo në Vorë ose tek Astiri, të treja bastione të opozitës që PD i humbi”, sqaroi Veliaj.