Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj së bashku me deputetin e PS, Xhemal Qefalia ishin në Shëngjergj, ku ekonomia lokale është ngritur vetëm gjatë viteve të fundit falë promovimit të agroturizmit dhe prodhimeve bujqësore.

Edhe pse një komunitet i vogël banorësh, Veliaj tha se Partia Socialiste ka punuar njëlloj për këdo, si në qendër ashtu dhe në periferi, ndërsa për Partinë Demokratike njerëzit janë thjesht numra dhe prandaj ata shfaqen vetëm përpara zgjedhjeve.

“Më pyesin njerëzit shpesh: “Pse shkon në Shëngjergj për 600-700 vota? Pikërisht kjo është diferenca mes partisë tonë dhe të tjerëve. Ata i shohin njerëzit si numra dhe kujtohen vetëm kur vjen vakti i zgjedhjeve. Për ne njerëzit janë familje dhe në familje secili ndihmon tjetrin në rast nevoje. Ne iu jemi gjendur të gjithëve për shtëpitë pas tërmetit, pa pyetur për bindjet politike. Ne ishim te çdo nevojtar pas pandemisë, tek të gjithë ata që ishin të vetmuar, kemi shkuar shtëpi më shtëpi,” tha drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës për Partinë Socialiste.

Veliaj ironizoi fushatën e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, iu bën karshillëk njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duke promovuar modelin e makinave të shtrenjta, një xhiro e vetme e të cilave tha ai vlen sa gjithë ekonomia e Shëngjergjit.

“Shikoj palën tjetër, xhiro gomat, hip mbi makina, akoma në vitet ‘90 duke u rënë borive. Por sot nuk është kush xhiron më shumë rrotat, po kush xhiron më shumë ekonominë dhe kush prodhon më shumë mirëqënie për njerëzit. Nuk është kush bërtet më shumë, kush vjen me “Jeep”, apo “Bentley”, me “Range Rover”, “Porsche” e “Lamborghini”, – një xhiro e Lulit është sa gjithë ekonomia e Shëngjergjit, – por kush bën më shumë shkolla, kush ndihmon me një shtëpi e kush ndihmon me ushqime në këto ditë të vështira,” tha Veliaj duke shtuar se kjo shpjegon edhe faktin pse ata nuk flasin kurrë për të kaluarën.

Në fund, Veliaj tha se Partia Socialiste ka plot arsye për t’u ndjerë krenare sot, ndërsa Lulzim Basha plot të tjera për t’u ndjerë i dështuar.

“Ne jemi krenarë për njerëzit tanë! Ne jemi krenarë për punët që kemi bërë! Ne jemi krenarë që subvencioni i bujqësisë e ka çuar naftën gjysmë për gjysmë! Ne jemi krenarë që agroturizmi në Shëngjergj mbështetet edhe nga Bashkia! Vetëm Luli nuk e përmend kurrë që ka qenë kryetar Bashkie. I kanë thënë ata këshilltarët, “mos ua kujto njerëzve që të ka ngel sahati!” Nuk e përmend kurrë që ka qenë ministër i Brendshëm, sepse u vranë njerëzit me plumba në mish. Nuk e përmend që ka qenë ministër i Jashtëm, se e fali detin. Nuk e përmend që ka qenë ministër Transporti, se tre vite iu shmang Gjykatës. Janë provuar e janë stërprovuar. Kanë dështuar dhe kanë vetëm turp,” tha kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.