Këshilli Bashkiak i Tiranës zyrtarizoi propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për t’i vendosur një rruge të qytetit emrin e Dëshmorit të Atdheut, Arjan Sala, i cili humbi jetën në një moshë tepër të re për të shpëtuar 25 kolegë nga zjarri, pak ditë më parë. Këshilli Bashkiak i Tiranës e nderoi 33-vjeçarin, duke emërtuar me emrin e tij një rrugë në Laprakë, Njësia 11.

“Rruga që do të mbajë emrin “Arjan Sala” ndodhet në njësinë 11, në zonën e Laprakës, aty ku banon familja e të ndjerit, e heroit të qytetit tonë, i cili sakrifikoi veten për të shpëtuar të tjerët, në zjarrin te ‘Casa Italia’. Ka qenë një premtim që Kryeministri dhe unë i kemi bërë familjes, për të kujtuar këta heronj urbanë, që sakrifikojnë jetën për të tjerë. Arjani ishte nga ata djem që shpëtoi jetë, duke paguar çmimin më të lartë që dikush mund të paguajë. Ndaj, më vjen mirë që një rrugë në njësinë 11 do të mbajë emrin e heroit tone, Arjan Sala”, tha Veliaj.

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” e ka shpallur “Dëshmor të Atdheut” Arjan Salën. Akti heroik i Arjan Salës bëri që komisioni ta nderojë me statusin më të lartë, me motivacionin: “Humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar popullsinë në raste fatkeqësie”. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimit zjarrfikës me bombula oksigjeni, veshje termike, ndriçim, etj, flakët u përhapën me shpejtësi në magazinën pranë sheshit “Shqiponja”, të favorizuara nga materialet shumë oksiduese, si këpucë, mallra veshmbathje etj, që gjendeshin në magazinë.