Erion Veliaj dha një tjetër lajm të mirë nga selia e Partisë Socialiste. Në Krrabë dhe Shëngjergj Partia Socialiste ka marrë 70% të votave. Veliaj, në cilësinë e drejtuesit politik të PS-së për Tiranën tha se numërimi nuk duhet ndalur në asnjë moment, teksa i kërkoi ekipit fitues që të takojë dhe përshëndesë kundërshtarët.

“Ne kemi qenë këtu sot për të deklaruar fitoren e Dajtit, fitoren e Bërzhitës, dhe më vjen mirë që sot kemi një superrekord për PS, 70 % me fitoren e Krrabës, me gjithë çunat dhe gocat e Krrabës, dhe në Shëngjergj, edhe djemtë edhe vajzat e Shëngjergjit. Ne jemi në avantazh në të gjitha njësitë e bashkisë së Tiranës edhe mezi pres që të vazhdojë numërimi me ritmet me të cilat ka nisur. Kemi pasur një humbje kohe në këto 48 orë me njerëz, me justifikime që duam të flemë gjumë ose nuk punojmë dot më shumë se 2 orë rresht edhe për ambasadorët ishte e çuditshme. Kështu që nuk ka asnjë arsye pse kjo puna e gjumit të kthehet në një barcaletë edhe mbas fushatës. Na duhen njerëz që rrinë zgjuar, s’ka kohë për pushim mbi të gjitha duhet të numërojnë që ti rikthehemi punës më të fortë edhe më të bashkuar”, u shpreh Veliaj.