Drejtuese politike e PS për Qarkun Tiranë, Elisa Spiropali, ka publikuar sot një mesazh video në rrjetet sociale ku i drejtohet mësuesve të vendit.
Ministrja Spiropali shprehet se Partia Socialiste e meriton një mandat të tretë për të vazhduar me punët e nisura për investimet në infrastrukturën arsimore dhe vemendjen ndaj mësuesve, duke bërë një bilancë se si e gjetën arsimin në 2013, për të vazhduar me të gjithë punët e bëra gjatë këtyre viteve nga mazhoranca dhe zotimet për katër vitet e ardhshme.
Duke theksuar se investimi në arsim është politika më e mire ekonomike për një vend, Spiropali thotë se kjo është e vërtetuar me fakte dhe se mjafton të pyesësh vetë mësuesit për të kuptuar sesi punohej në kohën e Partisë Demokratike. “Mjafton të pyesni armatën e 30 mijë mësuesve të Shqipërisë, si ishte të punoje nën presionin e vendit të punës dhe kushteve skandaloze. Trashëguam 30 mln euro borxhe dhe 600 shkolla në rrezik shëmbje dhe kushte mesjetare. Gjetëm në sistem 4 000 mësues pa arsim përkates apo jashte profilit. Vendi i punës blihej me 5 000 Euro ose me votë fisnore në zyrat Arsimore të Partisë” – shprehet Spiropali.
Ministrja vazhdon mesazhin e saj duke bërë një bilancë të punëve përmes rikthimit në një arsim cilësor dhe të dinjitet njerëzor për misionarët e dijes. “Ja kemi patur borxh gjithë këtij brezi misionarësh të dijes. Ata sot janë dëshmitarë, për rilindjen e arsimit. 263 shkolla të reja apo të rinovuara plotësisht… në vitin 2021 vijon rikostruktimi i 120 shkollave të reja. Sot nuk ka qoftë edhe një mësues që të thotë se është detyruar të mbaj flamur elektoral. Portali “Mësues për Shqipërinë” ka siguruar punësimin e mësuesve në sistemin arsimor nëpërmjet meritës, shmangies së nepotizmit e ndikimit të politikës.” – thotë ministrja.
Duke e mbyllur video mesazhin e saj ajo prezanton disa prej zotimeve kryesore të PS për mandatin e tretë qeverisës si mirëadministrimi, shkollat pa turne dhe rritja e rrogave për mësuesit: “Në mandatin e tretë do vazhtojmë me guximin për të ndryshuar të ardhmen, përmes një brezi mësuesish dhe një realiteti të ri arsimor europian. Mbulimi i plotë, 100% falas i teksteve shkollore për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar. “Shkolla e Drejtorëve” do ta ndryshojë menaxhimin e shkollave në një standard krejt tjetër, modern administrimi; Falë procesit të rindërtimit nuk do të ketë më shkolla me dy turne në dhjetë-vjecarin e ardhshëm. Dhe sigurisht deri brenda këtij mandati zotohemi të rrisim rrogën e mësuesve deri në 40%, si një vlerësim të kontributit dhe dinjitetit të tyre qytetar e profesional.” – përfundon Zj. Spiropali.
Kandidatja për zgjedhjet e 25 Prillit, Elisa Spiropali, mban numrin 9 në listën e Tiranës për Partinë Socialiste dhe do të përfaqësojë në parlementin shqiptar bashkinë Kamëz.