Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherazi drejtues politik për qarkun e Elbasanit u ndal këtë të enjte në një takim me banorët e fshatit Dardhë nga ku komentoi ngjarjen e një dite më parë në Elbasan ku u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani.
Balla deklaroi se kjo është një ngjarje e rëndë dhe tejet e dënueshme, që një parti politike të marrë armët kundër popullit të vet. Ai përsëriti thirrjen që askush të mos bjerë pre e provokimeve duke shtuar e papranueshme të merren armët.
“Ngjarje tepër e rëndë dhe është një akt tejet i dënueshëm që një parti politike të marrë armët kundër popullit të vet. Ky është një përshkallëzim i dhunës së përditshme nga ana e presidentit të republikës dhe opozitës.
Thirrja ime është që askush të mos bjerë pre e provokimeve sepse është e papranueshme që të merren armët. Ngjarja e djeshme nuk ka asnjë ndryshim nga 21 Janari. Mos bini pre e flamujve dhe banderoleve. Këto janë veprimet e fundit të një përpjekje për të shkaktuar rrëmujë. Më 25 Prill PS do të fitojë zgjedhjet. Do vazhdojmë punët që janë shumë të rëndësishme”, tha Balla.