Ambasada amerikane ka reaguar lidhur me ngjarjen e Elbasanit ku truproja i sekretarit të PD-së Gazmend Bardhi ekzekutoi një mjek dhe politikan lokal.
Përmes një reagimi publik, ambasada i bën thirrje liderave politik për qetësi teksa apelon që organet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen.
“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve.
Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit.
Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen.
Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë përmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar.
Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën.
Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, nënvizon ambasada.