Për të treguar angazhimin e saj në këto zgjedhje në Shqipëri, ambasadorja amerikanë në Tiranë Yuri Kim ishte e pranishme pas mesnate në njësinë 5 në kryeqytet ku vizitoi numëruesit e votave.

E shoqëruar nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, zonja Kim shkoi për inspektim tek qendra e numërimit të votave në shkollën “Vasil Shanto”, në Tiranë.

Yuri Kim u shpreh se kandidatët dhe partitë duhet të qetësohen dhe më pas të pranojnë rezultatin kur të certifikohet.

“Votuesit shqiptarët e kanë bërë punën e tyre, tani përgjegjësia bie mbi numëruesit për ta bërë punën me integritet dhe besoj se kanë për ta bërë.

Është e rëndësishme që autoritetet të ndjekin të gjitha ankesat që mund të dalin, në mënyrë që të ketë një proces të vazhdueshëm përmirësimi me kalimin e kohës.

Në fund, për kandidatët dhe për partitë, është koha për ta që të qetësohen, të kenë durim, të presin për rezultatin. Kur rezultatet të certifikohen, ata duhet t’i pranojnë ato.

Le të shohim si do të shkojë procesi. Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu deri në fund”, u shpreh Yuri Kim.