Drejtuesi politik i qarkut të Korçës Niko Peleshi ka zhvilluar një takim me banorët në Goskovë, ku theksoi se “zgjidhja e problemeve të pronës dhe mbështetja për bujqësinë kanë qenë dy nga premtimet e mbajtura të PS në pushtet”.

Peleshi ka kërkuar mbështetjen për një mandat të tretë si e vetmja forcë politike me vizion dhe mundësi të qartë për të ecur përpara.

Me nisjen e vaksinimit, theksoi Peleshi, Shqipëria u bë vendi i parë në rajon që ka filluar shërimin përfundimtar, ndërsa më tej u ndal tek premtimet dhe angazhimet për katër vjeçarin e ardhshëm që do të jetë gjithçka e fokusuar tek fshati dhe ferma.

“Punët e pronës në fshat janë drejt zgjidhjes përfundimtare. Nëse ka pasur ndonjë gangrenë më të madhe në Shqipëri ka qenë çështja e pronës. Sot që flasim ne marrim frymë lirisht. Marrim frymë lirisht se kemi filluar shërimin përfundimtar të kësaj sëmundjeje botërore. Kemi filluar vaksinimin, vaksinimin masiv në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtu jemi të parët nga të gjithë vendet në rajon dhe më mirë se vendet e zhvilluara që ende nuk e kanë zgjidhur problemin e vaksinimit”, theksoi ai.

Peleshi tha se është hapur në datën 24 skema e subvencioneve për fshatin, aplikime në blegtori, bujqësi, agroturizëm.

“Skema e mbështetjes së naftës, shumë kanë aplikuar. Ishte një premtim i mbajtur ose një kërkesë e vazhdueshme në fshat. Kemi hequr prej dy vitesh TVSH e imputeve bujqësore për më pak shpenzime për fermerët. Ne nuk mashtrojmë dot, ne jemi sot në punë dhe do të jemi dhe nesër”, shtoi ai, duke theksuar se “doganat nuk i mbyll dot se nuk të lë Europa pasi ke marrëveshje me Europën për tregtinë e lirë”.