Nga Altin Ketro/ Lulzim Basha vijon të na çuditë me teoritë e tija duke marrë angazhime publike se “qeveria e tij e ardhshme nuk do të përbëhet nga ministra të qeverisë Berisha”. Për ta argumentuar të kundërtën e kësaj gjëje, do të më duhet edhe mua që të hyj në ëndrrat e Lulzim Bashës dhe të bëhem pjesë e kësaj dëshire duke e marrë të mirëqenë ardhjen e tij në pushtet.
Që ta thuash këtë gjë me shumë seriozitet dhe njerëzit ta marrin po seriozisht, duhet që Lulzim Basha të jepje fillimisht shembullin më domethënës siç do të ishte ai i mos përfshirjes së Sali Berishës në listën e kandidatëve për deputetë. Jo vetëm që e përfshiu, por edhe priti se në cilin qark Berisha do e deklaronte veten si kandidat.
Humbja e kësaj mundësie të artë për të përcjellë në elektorat me të vërtetë një frymë ndryshimi, është argumenti i parë që rrëzon gjoja angazhimin e Lulzim Bashës.
Argumenti i dytë është se Lulzim Basha flet sikur partia e tij do të marrë e vetme së paku 71 ulëse në Kuvend. Dihet që Partia Demokratike nuk i arrin dot kurrë e vetme ato mandate, sepse as në vitin 2009, ku Sali Berisha investoi gjithë energjitë personale e shtetërore për mandatin e dytë, nuk i arriti dot.
Në këtë kuptim, Lulzim Basha i bën llogaritë pa hanxhiun, domethënë pa LSI-në. Sepse PD-së pa diskutim do i nevojitet edhe ai grusht mandatesh të LSI-së për të formuar qeverinë dhe në këtë rast do zbatohet modeli me detyrim përcaktim, ku si detyrimin e si përcaktimin e ministrave për sa i përket pjesës që i takon, e vendos Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Dhe me këtë dyshe të babëzitur nuk bëhet shaka. Njëherë i dogjën mandatet e deputetëve për Lulin, herë të dytë jo që nuk ka më, por në mentalitetin e tyre nuk ekziston dot mendimi që ministrat që ata duan, t’ua refuzojë Basha.
Që këtu, Lulzim Bashës i bie një anë e angazhimit të tij për ish-ministrat. Nëse marrim për bazë se ai e ka pasur fjalën vetëm për pjesën demokrate, edhe këtu ka dy momente interesante.
Qenia në Kuvend e Sali Berishës dhe besnikët që ai ka në grupin parlamentar, nuk mund t’ia bëjnë kaq të lehtë formimin e qeverisë Lulzim Bashës. Si “ujqër” të vjetër, ata nuk mund ta këmbejnë investimin e tyre shumëvjeçar duke votuar ministra “Babale”, që e kanë pasion komplotin me montazh zërash për shantazh politik, viktimë e të cilave mund të bëhen edhe ata.
Po jo vetëm Berisha, por edhe vetë aleatët politikë që janë atashuar në listën e sigurt të PD-së dhe ku vota e tyre është shumë e rëndësishme në Kuvend, do të duan që të jenë pjesë e qeverisë dhe këtu spikat ish-ministri Mediu. Po edhe Duka ka ambicie për ministër. Ama, të marrësh një ish-ministër të Nanos dhe të lësh jashtë si ndëshkim një ish-ministër të Berishës, do të jetë shumë e rëndë për t’u kapërdirë për këta të fundit.
Kjo deklaratë e Lulzim Bashës, ngjan me atë angazhimin solemn që mori kur ngriti një si biçim komisioni që do të përzgjidhte kandidaturat për deputetë dhe që në fund as e mori në konsideratë vendimmarrjen e tyre. Ky aspekt ka lidhje me “seriozitetin” që ai ka ndaj angazhimeve që merr publikisht.
Ashtu sikundër Lulzim Basha nuk e ka në dorë zgjedhjen e tij si kryeministër, ashtu edhe përbërjen e qeverisë nuk do të mund ta ketë ai në dorë.
Fillimisht është faktori popull që duhet t’u japë shumicën, pastaj është faktori votë në Kuvend dhe harmonizimi i shumë interesave që fshihen tek secili aspirant për t’u bërë ministër. Të gjitha këto, bëjnë që ëndrrat që sheh në gjumë Basha nuk mund t’i bëhen dot realitet.
Ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i themi: Zgjohu Lulzim, se vajti ora për fushatë! Pasi të zgjohet nga gjumi e të lajë sytë, ndoshta ftillohet e i bie ndërmend se ke qenë ministër i Berishës në tri ministri të ndryshme për 6 vjet me radhë dhe, nisur nga angazhimi i tij për ish-ministrat, as ai nuk e meriton që të jetë pjesë e qeverisë.
Historia na mëson se standardet e dyfishta në trajtimin e vetvetes në raport me të tjerët, aq më tepër kur bëhet fjalë për një aspirant për kryeministër, janë një [sinjal alarmi] që ai nesër të mos u përmbahet angazhimeve publike. Kjo është një arsye më shumë që Lulzim Basha duhet refuzuar me votë masive më 25 prill, si i pabesueshëm.