Churches in Oia, Santorini island in Greece, on a sunny day.

Greqia është bërë vendi i parë në Bashkimin Europian që ka nxjerrë pasaportën europiane të vaksinimit. Ajo do të bëjë të mundur lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve europiane, por deri më tani vendi fqinj nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të pranojë apo njohë pasaportat shqiptare të vaksinimit. Çdo qytetar i vaksinuar me dy doza në vendin tonë, apo cdo qytetar që ka kaluar Covid-19 në gjashtë muajt e fundit, mund të pajiset me pasaportë vaksinimi duke e shkarkuar nga eAlbania. Por deri më tani, asnjë nga vendet anëtare të BE-së nuk është prononcuar nëse do të pranojë të vaksinuar me vaksinën ruse dhe kineze, më të cilën Shqipëria filloi vaksinimin masiv.

Greqia, ashtu si vendet e tjera anëtare, nuk i kanë hapur ende kufijtë turistëve shqiptarë, dhe nxjerrja e pasaportave të vaksinimit nga Athina zyrtare duket se nuk ka sjellë ndryshime në këtë drejtim. Një ditë më parë ambasada greke në Tiranë njoftoi se masat kufizuese për lëvizjen e qytetarëve shqiptarë në drejtim të Greqisë do të mbeten të pandryshuara deri më 31 maj. Kufiri qëndron i mbyllur për muaj me radhë, me ndryshimin e vetëm që këto ditë u hap pika kufitare të Kapshticës me orar të kufizuar ku lejohet hyrja në Greqi vetëm e punëtorëve sezonalë. Ndërkohë e hapur me numër të limituar deri në 750 vetë në ditë ngelet vetëm Kakavija, teksa pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në qershor me këto masa kufizuese.

Qeveria greke ka publikuar të premten formatin e parë të pasaportave të vaksinimit në BE, të cilat u cilësuan nga kryeministri Qiriakos Mitsotakqis si “një rrugë e shpejtë për të lejuar udhëtimet”, duke theksuar se certifikata elektronike e përbashkët do të njihej nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Gjatë prezantimit të kësaj pasaporte në Athinë, Mitsotaqis premtoi se pajisja me pasaportat e vaksinimit do të lejojë rikthimin në normalitet të sezonit turistik dhe ka premtuar se ato do të jenë gati duke filluar nga qershori. Por në prezantimin e tij, Mitsotaqis nuk i përmendi në asnjë moment turistët nga jashtë unionit, edhe pse ka lidhur marrëveshje me Serbinë dhe Rusinë për pranimin e turistëve.

“Ky hap është veçanërisht i rëndësishëm për Greqinë si shtet turistik, por mendoj se çdo shtet mund të përfitojë prej tyre dhe të lejojë lirinë e lëvizjes. Në këtë dokument përfshihen të gjitha informacionet që një shtet anëtar do të duhet të ketë që të mirëpresë një udhëtar pa i imponuar masa shtesë si prova vaksinimi, teste COVID-i, apo vendosje në karantinë.”- ka thënë kryeministri grek. Kryeministri grek tha po ashtu se pasaportat do të mund të merren edhe nga shtetasit e huaj që banojnë në Greqi dhe në vendet e tjera të BE dhe me marrjen e tyre, do të mund të udhëtohet lirisht po ashtu si përpara shpërthimit të pandemisë.

Por nga Athina zyrtare nuk ka ende asnjë sinjal nëse do të pranohen turistët nga jashtë unionit, jo vetëm ata nga Shqipëria dhe Ballkani të cilët janë vaksinuar me vaksina ruse ose kineze, por edhe ata nga Britania e Madhe. Nëse vendi fqinj do të pranonte këta turistë, ai ose duhet të njohë pasaportat e tyre të vaksinimit, ose duhet t’i pajisë me një lejekalim, ku do të shënohet lloji i vaksinën me të cilën janë vaksinuar. Gazeta greke Ekathimerini shkruan se java e ardhshme do të jetë vendimtare në përpjekjet e Greqisë për të lehtësuar udhëtimet nga jashtë unionit, pasi Britania e Madhe dhe Rusia po bëjnë presion për pranimin e turistëve.

Sidoqoftë, sipas raporteve, nga mesi i javës së ardhshme Greqia ka të ngjarë të rimendojë hapjen e kufijve me disa vende, duke i vendosur ata në listën e saj “të gjelbër” dhe duke hequr karantinën për vizitorët. Gjithashtu në mes të javës së ardhshme, Ministri i Jashtëm Alternativ Miltiadis Varvitsiotis pritet të ketë një telekonferencë për njohjen e vaksinës ruse me Ministrin Rus të Transporteve Vitali Savelyev, në mënyrë që të vulosë datën për hapjen e kufijve mes dy vendeve. “Duke pasur parasysh kërkesën e lartë nga vizitorët e mundshëm rusë në destinacionet greke dhe njohjen e vaksinave ruse nga qeveria greke, lehtësimi i rregullave për udhëtarët nga Rusia pritet të merret javën e ardhshme”, shkruan “Ekathimerini”.