Nga Altin Ketro

Vite më parë, kur Sali Berisha ishte kryeministër deklaronte plot mburrje për vetveten nga salla e parlamentit se: “Unë jam Arkiva!” Kjo është nga ato deklaratat e sinqerta që Berisha i thoshte në ekzaltim e sipër, kur i bënte presion psikologjik opozitës së djeshme, por indirekt edhe grupit të deputetëve të vetë.

Kishte syresh prej tyre që herë pas here përpiqeshin të tregonin integritet dhe të dilnin jashtë gardhit të Berishës, por ishte ky i fundit që me sinjalet indirekte që jepte, u tregonte se i kishte në dorë në çdo moment.

Sali Berisha është pragmatist kur vjen puna tek interesi i tij për të qeverisur. Mund të jesh ish-komunist, ish-sigurims, i korruptuar deri në palcë, mund të kesh bërë krime në emër e për llogari të Berishës, pra të gjitha këto dukuri negative nuk ekzistojnë për sa kohë që t’i je i vlefshëm për qëndrimin në pushtet të Sali Berishës.

Sali Berisha jetoi në komunizëm duke qenë me funksione politike si sekretar i partisë së spitalit ku punonte. Sekretarët e Partisë së Punës zgjidheshin njerëzit më të devotshëm, më besnikë dhe me njohje të thellë të normave të funksionimit të partisë.

Edhe po të ishe fillestar, vitet e gjata si anëtar të bënin mjeshtër të zbatimit të normave statutore. Gjithashtu, vetedukimi në vazhdimësi me veprat e shokut Enver, ishte detyrë mbi detyrat. Njohja e tyre në detaje prej Berishës, e ndihmoi atë në fillimet e demokracisë për të pastruar gjithë kundërshtarët që e pengonin për të kapur drejtimin e partisë së parë antikomuniste.

Paralelisht me to, Sali Berisha u jepte rëndësi organeve të shërbimit sekret, sepse botëkuptimi i tij si ish-komunist nuk mund ta kuptonte drejtimin e partisë e të shtetit pa qenë i informuar në detaje se si punojnë e çfarë bëjnë bashkëpunëtorët e vetë apo të tjerët. Krijimi për secilin prej tyre të dosjeve komprometuese, duke i lënë fillimisht që të kryenin veprimtari të dënueshme ligjërisht, ishte mënyra më efikase që t’u bënte shantazh në çdo kohë.

Janë këto dy arsye: përfitimi antiligjor prej bashkëpunëtorëve të tij i të mirave materiale (pasuri të luajtshme e të paluajtshme), si dhe krijimi i dosjeve komprometuese për ta, ajo që bën që Sali Berisha të ketë besnikë kaq të devotshëm, aq sa janë gati të bëjnë “luftë” me SHBA-në, por jo me të.

Sali Berisha është rast për t’u studiuar sesi edhe pse ka 8 vjet që nuk e drejton më zyrtarisht PD-në, ka një ndikim kaq të fortë mbi shumë demokratë, edhe mbi ata që përbëjnë sot kupolën drejtuese të PD-së, ndonëse ata janë ndërruar e rinovuar në kohë të ndryshme.

Sa të jetë gjallë Sali Berisha, mos kërkoni që brenda asaj partie të dalin zëra që e demaskojnë të kaluarën e tij. Askush prej tyre, edhe ata që nuk kanë asnjë lidhje me qeverisjet e Sali Berishës, nuk guxojnë të hyjnë në gojën e tij baltosëse me lloj- lloj fantazish të një mendje diabolike që i hyn tjetrit deri tek dhoma e gjumit.

Mos i vini në pozitë të vështirë zërat që mendojnë kundër tij, por nuk guxojnë që ta shprehin atë në publik. Përpos të tjerave, Sali Berisha ka mbështetës ekstremistë që japim deri jetën për të. Dikur valonte druri në bodrumet e sallave të Kongreseve, po ta sfidonte kush Sali Berishën. Sot bëhet linçimi publik po guxoi kush.

Po e mbyll këtë analizë për “arkivistin” Sali Berisha, me atë se çfarë mendon ky personazh i botës së nëntokës për çiftin Meta- Kryemadhi. Është rasti tipik pse ky çift ka dobësi për të, aq sa tregohen më “katolik se Papa” kur vjen puna për ta mbrojtur Berishën nga Shtetet e Bashkuara.

Sali Berisha: “Ne kemi dosjet e Ilir Metës që e fajësojnë atë se ka kryer krime të shëmtuara. Partia Demokratike ka denoncuar përgjegjësinë e tij për murosje në gurore. Në fakt, shumë u morën me Monikën, por gurorja është e Ilirit. Apo, sa e Ilirit aq dhe e Monikës. E kanë pronë të përbashkët. Edi Paloka ka denoncuar Metën për Thesarin, si një nga hajdutët e Thesarit.”

TemA