Djali i të ndjerit Remzi Hoxha ka reaguar për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH.
Teksa kujtojmë që Remzi Hoxha është zhdukur në Shqipëri në vitin 1995 pasi u rrëmbye nga ish-SHIK i Gazidedes, djali i tij tha dje në median e Kosovës se vendimi i SHBA për të ndaluar Sali Berishën dhe familjen e tij të shkojë në SHBA ishte një vendim i shumëpritur nga familja Hoxha, dhe si reagim për krimin mostruoz që i ndodhi babait të tij Remzi Hoxha.
Duke folur në Kanali 10 në Kosovë, Ardian Hoxha tha se Sali Berisha është anti-shqiptari më i madh i të gjitha kohërave.
“Unë Sali Berishën e njoh që prej 25 vitesh e gjysëm, kur ka djeg dhe përvëlu familjen tonë dhe ne nuk i kemi eshtrat e babës. Pra 25 vite nuk kemi varr për babën.
Nuk ka vdek as në luftë por në Shqipërinë e lirë, në Shqipërinë nënë dhe shumë njerëz që kanë humbur kokën për atë Shqipëri dhe atë flamur.
M’u më është imponuar me ne ndjek gjithçka për Sali Berishën. Dhe ne e dimë që ka zhduk familjen e Haklajve dhe Azem Hajdarin. Unë po them se çka ka bërë.
Vendim gjyqsor ka dhe ka ndodhur në kohën kur ka qenë në pushtet Sali Berisha dhe e ka penguar me të gjitha forcat se gjithë institucionet I kishte në kontroll.
Diku një muaj para përfundimit të procesit gjyqsor e mbysin prokurorin e cështjes, një muaj para se të shpallet verdikti.
Dhe fajin ia lenë një personi, Ilir Kumbaros që e kanë mbrojt me mish e me shpirt. Dhe kur u kap në Angli i çonin dosjet e mangëta vetëm që ai të ikte prej drejtësisë. Vendim ka dihet me emer dhe mbiemër por strehohet. Berisha dashje pa dashje është 30 vjet në politikën në Shqipëri.
Dhe është prej njerëzve të mencëm, prej njerëzve që ka marrë mësim prej Enver Hoxhës dhe është munduar me udhëheq në Shqipëri me një lloj, me një model të ri të diktaturës.
Dhe ndoshta dhe s’kishte mundur kaq gjatë, me luajt fair dhe mos me bë eleminime fizike të njerëzve.
Unë them se Berisha dhe e them pa emocione, do jetë antishqiptari më i madh i të gjitha kohërave. Unë nuk kam lidhje me Edi Ramën, as Fatos Nanon, as ata nuk i dua hiç, se ata nuk kanë bërë asnjësend për me zbardh rastin tim. Në aspektin politik nuk më intereson asnjë individ politik.
Por Sali Berisha neve na ka djeg, dhe mua me ka rënë me percjell Sali Berishën. Ai ka shitur naftë Serbisë kur lufta është bërë në Bosnje, ai ka thyer embargon; ai ka bërë shumë punë të keqia dhe është njollë, është pjesë e historisë, po është njollë e shqiptarëve dhe shyqyr po eleminohet nga politika”, tha Ardian Hoxha.
Remzi Hoxha, aktivist dhe biznesmen Kosovar u rrëmbye nga SHIK I dikurshëm në 21 tetor 1995, në moshën 39 vjeçare.
Pas torturave mostruoze mendohet se Remzi Hoxha vdiq prej tyre në bazën e SHIK në Vain të Lezhës.