Zhgënjim i madh tek Arsenali. Ekipi londinez ngeci në një barazim pa gola ndaj Villareal mbrëmjen e kaluar. Spanjollët kishin fituar 2-1 takimin e parë, rezultat që i ndihmoi të kalonin për herë të parë në histori në një finale të Europa League.
“Topçinjtë” tentuan gjatë gjithë ndeshjes, krijuan raste të pastra, por nuk ia dolën të thyejnë mbrojtjen e Unai Emery. Mikel Arteta nuk fshihet dhe pranon dështimin në prononcimin e dhënë pas duelit me Villareal.
“Ndihemi të shkatërruar, pasi kishim një entuziazëm dhe dëshirë të madhe për të kaluar në finale. E kishim të qartë se sa e rëndësishme do të ishte një gjë e tillë për klubin dhe tifozët. Por edhe për ne, pasi do kishim mundësinë të fitonim trofe dhe të siguronim kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Pësuam një goditje të madhe. Krijuam mjaftueshëm raste për t’u kualifikuar, krijuam më shumë se Villareal, por nuk ia dolëm t’i shfrytëzonim. Frika e shkarkimit? Unë besoj se puna e të gjithëve është nën vëzhgim“, deklaroi Arteta.