Atletico Madrid u shpall kampion i Spanjës për herë të 11 në historinë e klubit.

Skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone i duhej fitorja në transfertë ndaj Valladolid dhe këtë fitore e arriti me vuajtje, pasi pjesa e parë u mbyll 1-0 për vendasit.

Bardhekuqtë reaguan në të dytën, me Correa dhe Suarez që përmbysën rezultatin dhe i dhuruan titullin ekipit madrilen, që grumbulloi 86 pikë. Ky është titulli i dytë që Atletico Madrid fiton nën drejtimin e Simeones.

Ndërkohë, Real Madrid, që nuk e kishte vetë fatin në duar në javën e fundit, fitoi 2-1 ndaj Villarreal, duke e mbyllur kampionatin në vendin e dytë, 2 pikë më pak sesa kampionët e Atleticos.

Edhe Barcelona fitoi në transfertë 1-0 ndaj Eibar, me gol të Griezmann, duke e mbyllur kampionatin në vendin e tretë.