Në një letër alarmante drejtuar Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, 250 intelektualë dhe njohës të mirë të Ballkanit kanë paralajmëruar për vlerësime të gabuara të gjendjes atje.
Që prej vitit 2018 në rajon ka patur ndryshime drastike të pikëpamjeve politike, pretendojnë nënshkruesit e kësaj letre, ndër to politikania serbe dhe përkrahësja e të drejtave të njeriut Vesna Pešić nga Beogradi, profesorët Nenad Čanak nga Sarajeva, Florian Bieber nga Graz-i, Vesna Pusić nga Kroacia dhe shkrimtari Aleksander Hemon nga Sarajeva.
Shkak për këtë shqetësim solli mbi të gjitha diskutimi për ndryshimet e kufijve, si dhe rritja e mbështetjes ndaj drejtimeve etniko-nacionaliste brenda komuniteteve perëndimore.
Nënshkruesit bazohen tek publikimi i të ashtuquajturave dokumente jozyrtare (Non-Papers), në të cilat propozohet ndryshimi i kufijve në Ballkan.
Sipas dokumenteve Bosnje-Hercegovina duhet të ndahet mes Serbisë dhe Kroacisë dhe në fund do të ngelë vetëm një shtet i vogël mysliman.
Maqedonia do të humbasë gjithashtu territore, të cilat do t’i kalojnë Shqipërisë etnike, bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këto dokumente jozyrtare dyshohet se janë publikuar nga Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha.
Autorët e letrës bëjnë të ditur, se prej kohësh ka patur ndryshime të rëndësishme në skenën botërore, të cilat kanë dëmtuar rendin internacional liberal dhe kanë forcuar aktorët joliberal.
Deri në vitin 2008 Ballkani ishte konsideruar si territori ku mbroheshin interesat perëndimore. Ballkani duhet të jetë i qetë dhe i lirë, dhe me perspektivën e anëtarësimit në BE. Duhet të krijohen stimuj për popullatën, në mënyrë që të zhvillohet demokracia dhe shteti i së drejtës.
Politika e deritanishme e ka lejuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian të vazhdojë politikën e zhvillimit të Ballkan-it, pa zgjidhur ende konfliktet thelbësore mes vendeve.
Kjo lloj politike me perspektivën për anëtarësimin në BE ka vite që nuk mjafton më për stabilizimin e Ballkanit, shpjeguan autorët e letrës.
Me shfaqjen e Rusisë dhe Kinës, zhvillimet në disa prej shteteve të Be-së si dhe presidenca e Donald Trump-it e kanë komplikuar situatën. Shtetet si Turqia, janë përpjekur të zbatojnë politikat e tyre në Ballkan.
Ky “koktejl” faktorësh do të përshpejtojë trendin negativ për demokratizimin e Ballkanit.
Tageszeitung- Përktheu: Ina Merlika