Nga Adriatik Doçi
Vendimi për djegien e mandateve në mars të vitit 2019, me synim për rrëzimin e Edi Ramës, vijon të prodhojë pasoja për krerët e PD-LSI-së dhe rrethin e tyre të ngushtë. Përfaqësuesit e opozitës, të cilët dorëzuan mandatet dy vjet më parë, por që u zgjodhën sërish deputetë të zgjedhjet e 25 prillit 2021, duhet të deklarojnë nga fillimi të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, shoqëruar me dokumentacionin ligjor për burimin të krimit të tyre. Deklarimi i pasurive që nga vitet ’90 deri në vitin 2021, shoqëruar në një zarf me dokumentacionin justifikues, duhet të bëhet pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, një muaj para konstituimit të Kuvendit të ri, konkretisht para datës 9 gusht 2021.
Ky detyrim parashikohet në nenin 5/1 të ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive i vitit 2003, i ndryshuar për herë të fundit në vitin 2018. Kështu, përpos pasurive në emër të tij, Sali Berisha duhet të deklarojë dhe justifikojë pasuritë e dyshimta, me vlerë miliona euro, në emër të Shkëlzenit dhe Argitës, ku ekspozohet edhe dhëndri Jamarbër Malltezi, i cili në disa pasuri të paluajtshme është bashkëpronar me Argitën. Disa javë më parë, redaksia investigative e Report Tv zbardhi skemën e klanit të familjes Berisha për fitimit të miliarda lekëve, duke treguar për herë të parë gjithë dokumentet e firmosura nga Sali Berisha për ta favorizuar klientët e Argitës.
Report TV zbuloi gjithashtu dokumentet që provonin ekzistencën e një lumi miliardash të serbëve të nisura nga parajsat fiskale dhe të mbërritura në Tiranë, ku janë menaxhuar në cash nga Argita Berisha dhe nga ortakja e saj Flutura Kola, nga dhëndri i kryeministrit Jamarbër Malltezi dhe nga Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës. Një skemë po aq të kamufluar ka përdorur edhe Shkëlzeni për t’u pasuruar. Në kushtet zbardhjes së fakteve të reja mbi prapaskenën e pasurimit të Argitës, Jamarbrit dhe Shkëlzenit, mbetet për t’u parë se çfarë versioni do të japë Berisha për burimin e pasurive, gjatë deklarimit para se të pranojë mandatin e deputetit.
Para se të pranojë mandatin e deputetit, pasurinë duhet ta deklarojë nga fillimi dhe ta justifikojë edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili që nga muaji tetor i vitit 2021 refuzon të tregojë se në cilën vilë banon, nëse paguan qira, ia kanë bërë dhuratë apo e ka blerë. Në media është raportuar se Basha është zhvendosur për të banuar në një shtëpi në kompleksin e vilave “Long Hill”, në Tiranë, por kreu i PD nuk ka dhënë kurrë një sqarim. Gjatë deklarimit të ri të pasurisë që nga koha kur ishte student në Holandë dhe deri më sot, Basha e ka detyrim ligjor të tregojë shpenzimet për banim pas tetorit 2019.
Krahas ish-deputetëve të tjerë të PD-LSI që dogjën mandatet dhe u zgjodhën sërish në zgjedhjet e 25 prillit, pasurinë nga fillimi duhet të deklarojë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila gjithashtu ka detyrimin për të justifikuar burimin e krijimi të pasurisë. E gjithë pasuria e Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, me vlerë miliona euro, ku përfshihen pallati në Laprakë, vila në Gjirin e Lalzit, një apartament 400 mijë euro në Tiranë etj., e ka burimin tek dy kredi 60 mijë euro dhe 5 milionë lekë, si dhe tek 500 m2 tokë që Kryemadhit i ka falur vëllai.
(shqiptarja.com)