Nga Carlo Bollino
Prej vitesh Sali Berisha dhe partia e tij Demokratike lëshojnë akuza shumë të rënda kundër mijëra shqiptarëve pa dhënë asnjëherë asnjë provë. Edhe unë jam deklaruar person “non grata” nga regjimi i Berishës pa e ditur kurrë përse, e pa m’u dhënë kurrë asnjë shpjegim. Kundërshtarët e tyre politikë dhe familjet e kundërshtarëve janë linçuar pa asnjë mëshirë dhe akuzuar për çdo krim, gjithnjë pa asnjë provë. Tani, pikërisht këta, pretendojnë që Departamenti i Shtetit të japë provat e akuzave të bëra ndaj Sali Berishës, pas ndalimit të vizës së hyrjes.
Shtetet e Bashkuara thjeshtë konsiderojnë se Sali Berisha dhe familja e tij janë një rrezik për demokracinë dhe në bazë të këtij vlerësimi kanë futur emrat e tyre në një listë të zezë për të cilën nuk kërkohet asnjë provë, dhe as ndonjë vendim gjykata. Eshtë një lloj vendimi që çdo vend Schengen dhe çdo Shtet demokratik, merr mijëra herë çdo ditë duke u mohuar vizën miliona qytetarëve, të cilëve nuk iu detyrohen asnjë shpjegim. Nga këndvështrimi juridik nuk bëhet fjalë, në fakt, për një dënim faji, por thjeshtë për një vlërësim dhe si e tillë absolutisht subjektive. Kjo nuk do të thotë se politikisht nuk është një vendim shkatërrues për Sali Berishën dhe për atë që ai përfaqëson. Për 30 vite Sali Berisha dhe familja e tij kanë përfituar një imunitet total dhe kanë përdorur të gjithë këtë privilegj joliberal dhe illegal jo vëtëm për të abuzuar financiarisht, por edhe për të shpifur ndaj çdo kundërshtari dhe për t’u dhënë leksione morali të gjithëve. Por pastaj, rrota rrotullohet dhe tani u takon atyre të marrin një dënim moral fatal, i bërë jo nga dokushdo shpifës klani familje, por nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë gjykatësi më i rëndësishëm që mund të ekzistojë në botën e lirë.
Paradoksi i asaj që po ndodh, është se tani Sali Berishës nuk i mjafton të rivendosë në lojë makinerinë e tij mediatike për të bërë siç ka bërë gjithnjë, domethënë të shpifë ndaj kundërshtarëve, dhe të lavdërohet me historinë e tij personale. Tani është i detyruar të respektojë të paktën të njëjtin standard etik të treguar nga armiku i tij i betuar, Tom Doshi, që në një situatë identike me të tijën, hoqi dorë nga mandati parlamentar që sapo mori me 25 prill. Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen dhe të mos futet në Parlament. Pasi përdori prej muajsh, deri dje paradite, praninë e Tom Doshit në listën e zezë të Departamentit të Shtetit si shembull të një politike të korruptuar, Sali Berisha sot duhet të tregojë që është të paktën në nivelin e tij etik. Pasi, të tregojë që është më i mirë, tashmë për të është përfundimisht e pamundur.