Lulzim Basha ka premtuar se do të arrestojë kryeministrin Edi Rama, kryetarin Tom Doshi dhe ish deputetin Aqif Rakipi.
Duke ju referuar asaj që ai e konsideron “masakër elektorale”, Basha i bëri thirrje që të ruhen nga zemërimi i tij.
“Po populli e ka një thënie “Ruaju nga zemërimi i të duruarit.” Ndaj, koha po skadon me shpejtësi që institucionet t’i përgjigjen sfidës që kanë, sfidës që kanë për të arrestuar dhe vënë prapa hekurave autorët dhe urdhëruesit e masakrës elektorale të 25 prillit, jo cironkat. Sfidës që ka institucioni zgjedhor deri në nivelin e Kolegjit Zgjedhor.
Edhe një herë nuk duhet të kemi asnjë iluzion, është i njëjti KAS sot, ai që ishte dje dhe pardje. Ishte KAS-i që hoqi emrat e kandidatëve nga fleta e votimit siç urdhëroi Edi Rama, i njëjti KAS që votoi për të mos i kërkuar prova institucioneve shtetërore.
Por detyra jonë është të konsumojmë çdo hap dhe betejën ta shtrijmë në çdo fushë, ta shtrijmë në çdo rrugë, në çdo qytet e në çdo fshat.
Fundi i kësaj beteje do të jetë fitorja për arsyen e thjeshtë sepse ne nuk do ta humbim asetin më të vyer, më të çmuar që mund të ketë një forcë politike që është ai momenti magjik kur njerëzit e besojnë që betejën nuk po e bëjmë për veten tonë por po e bëjmë për ta.
Ndaj ajo që ju kërkoj sot janë dy gjëra, së pari si drejtues, si kapiten të betejës këtu në qarkun e Fierit, t’ia drejtoni këtë mesazh çdo bashkëluftëtari tuaj, çdo anëtari të strukturave tona, çdo mbështetësi, simpatizanti, vullnetarëve të fushatës, të rinjve në veçanti, dhe t’i thoni se ajo që duket si fundi i betejës për Edi Ramën me 25 prill, është fillimi i një makthi që do të përfundojë vetëm me rrëzimin e tij dhe të regjimit të tij. Ndërsa porosia e dytë, është po kaq e rëndësishme dhe pak më e vështirë, mos harroni se çfarë e ngriti këtë dallgë shprese dhe besimi te ndryshimi.
Po jua përsëris dhe një herë; frymën e ndryshimit e ngriti pikërisht ajo magji që bën bashkë një forcë politike, e cila normalisht me program siç ishte rasti ynë, me struktura synon pushtetin dhe një tërësi qytetarësh që kurrë nuk do trokasin në derë ditën që Partia Demokratike do të jetë në pushtet, për të kërkuar punë por që besuan se luftën nuk po e bëjmë për pushtetin tonë por po e bëjmë për ta, për fëmijët e tyre, për familjet e tyre, për Shqipërinë dhe për pushtetin e tyre.
Edhe një herë, askush të mos ketë asnjë dyshim, rezultati i masakrës elektorale të 25 prillit është i papranueshëm dhe nuk do të pranohet kurrë. Shanset për të bashkëpunuar me hajdutin e shpresës së shqiptarëve, me njeriun, me regjimin Rama-Doshi, që ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që e duan të gjithë, po them të gjithë, edhe socialistët, shanset, pra, opsioni për të bashkëpunuar me këtë krim që u krye faqe gjithë shqiptarëve dhe botës, janë zero. Kush nuk e ka dëgjuar, le ta dëgjojë. Kush nuk e ka kuptuar, le të ngrejë dorën”, ka thënë Basha duke shtuar se:
“Midis një Partie Demokratike të zbritur në fushën e betejës vetëm me zjarrin dhe pasionin e shpirtit dhe misionin për t’i shërbyer qytetarëve dhe përballë me një kundërshtarë i cili riktheu të gjitha praktikat dhe metodat e regjimit të përmbysur në vitin 1992.
Përmasat e asaj beteje, janë të patregueshme dhe të pa mbërthyeshme jo në një fjalim, por në dhjetëra fjalime, por gjurmët e asaj beteje janë kudo.
Së pari, janë në angazhimin masiv të bashkëqytetarëve tuaj në Fier, Mallakastër, Roskovec, në Patos, në Lushnje, në Divjakë, të cilët kërkuan dhe morën nga ne, nga Partia Demokratike, nga ekipi ynë, nga të gjithë ju, nga ata mijëra të tjerë që nuk ndodhen sot këtu por që ishin natë e ditë me ju në çdo pjesë të betejës, shpresën, besimin se ndryshimi është i mundur.
Dhe e shprehën atë me numra nga më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë ky qark në 30 vite pluralizëm. Padiskutim, pritshmëritë tona ishin më të larta.
Padiskutim tmerri i kundërshtarit ishte në përmasat më të larta që ka patur ndonjëherë.
Dhe kjo është arsyeja se pse betejës tonë qytetare dhe europiane me program, me ide, me zgjidhje, e cila preku çdo shtresë, çdo grup interesi, çdo moshë në çdo cep të këtij qarku dhe të gjithë Shqipërisë, Edi Rama dhe regjimi i tij ju përgjigj me shitblerje masive votash, me shkelje flagrante dhe kriminale të kodit zgjedhor, të vet atij kodi që votuan në mënyrë të njëanshme më 5 tetor, me punësime masive të paligjshme dhe të rreme. Që nga bashkia e okupuar, tek Alb-Petroli dhe çdo fushë tjetër”, ka thënë Basha.