Mesatarisht çdo ditë në spitalet Covid shtrohen 13 pacientë. Shefi i urgjencës kombëtare Skënder Brataj thotë se prej tyre, afërisht 3-4 qytetarë shtrohen në dy spitalet Covid në kryeqytet.

“Ne kemi të shtruar pothuajse çdo ditë. Janë tre në tiranë dhe të tjerët në spitalet rajonalë. Nuk ka shkuar zero numri i të shtruarve në spital. Çdo ditë zbresin numri i te shtruarve në spital në total”.

Sipas Bratajt tashmë të infektuarit me Covid që shtrohen në spital qëndrojnë më pak se dy javë, ndryshe nga kulmi i pandemisë para 2 muajsh.

“Fakti që shtrohen 14-15-10-12 dhe bie numri, është sepse këta persona nuk qëndrojnë më gjatë siç qëndronin më përpara në spital. Nëse vala e Shkurt – Marsit shkonte në tre javë tani ka zbritur poshtë dy javëve për format e rënda”.

Prej 2 ditësh në spitale nuk raportohet për persona të intubuar. Një lajm pozitiv ka edhe për frikën nga mutacionet e tjera të Covid dhe fundin e pandemisë.

“Viruset nuk kanë një pamundësi mutacionesh. Këto 18 muaj ai i ka shprehur mutacionet e mundshme dhe pandemia është drejt zhdukjes. Deri sa kemi të shtruar akoma dhe humbje jete njerëzit duhet të dinë që pandemia është akoma e rrezikshme”.

Por deri në përfundim të pandemisë, ekspertët rekomandojnë të mos neglizhohen masat si mbajtja e maskës dhe distancës në ambiente të mbyllura. Sipas tyre, barometri kryesorë i pandemisë janë shtrimet në spital dhe viktimat, të cilat ende janë prezent në Shqipëri.