Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se “bypass-i i Vlorës do të hapet më 15 korrik në mënyrë provizore duke i shërbyer sezonit turistik për të lehtësuar trafikun e rënduar që krijohet nga Radhima deri tek Kalaja në Vlorë”.
Balluku inspektoi sot punën në byass-in e Vlorës, një arterie shumë e rëndësishme ku prej muajsh punohet intensivisht që të jetë e hapur, edhe pse jo e përfunduar, për qarkullimin e automjeteve gjatë këtij sezoni turistik, duke e shkurtuar ndjeshëm lëvizjen drejt bregdetit të jugut.

Ndërsa përshkoi gjithë gjatësinë e këtij bypass-i, Balluku u ndal te problematikat e ndeshura në segmente të caktuara të tij.

“Ne i kemi kërkuar ARRSH-së për ta hapur këtë vepër në mënyrë provizore siç kemi bërë edhe për bypass-in e Fierit gjatë periudhës së sezonit. Edhe pikat që do të marrin zgjidhje në muajt në vijim do të jenë të aksesueshme përmes bypass-eve të vogla apo zgjidhjeve të tjera teknike duke pasur synim numër një sigurinë rrugore”, tha ministrja.

Ajo siguroi se “kemi marrë të gjitha masat me sinjalistikë të shtuar dhe të dukshme për të gjithë qytetarët”.

“Roli i Policisë së Shtetit është shumë i rëndësishëm. Ata do të jenë në mbështetjen tonë me forcat e Policisë Rrugore për të monitoruar trafikun e një rruge që proceson trafikun që mblidhej nga zona e Radhimës deri te Kalaja e Vlorës”, tha ajo.

Ministrja theksoi se “duke hapur bypass-in e Vlorës ne presim që të ketë një lehtësim trafiku por kjo do të kërkojë kujdes nga të gjitha palët”.

“Ne duhet të mbajmë afatin që kemi deklaruar, datën 15 korrik. Zona malore nga Kanina deri në kilometrin 20 ka qenë një zonë problematike. Po ashtu një segment problematik ishte segmenti që kalon te varrezat e qytetit të Vlorës, ku bëmë ndryshimet përkatëse në projekt. Këtu kishim krahun e varrezave dhe projekti i mëparshëm është pak ta quash qesharak, pasi nuk respektonte realisht as të vdekurit. I kalonte varrezave mes për mes. Ndërkohë që sot ne kemi ndërtuar një digë që ndan pjesën e varrezave”, tha ajo.

Pavarësisht vështirësisë së kantiereve ku operohet, Balluku tha se “rruga është shumë e bukur dhe panoramike dhe drejtuesit e automjeteve përveç faktit që nuk do të qëndrojnë më për orë të gjata në trafik do shijojnë një rrugë panoramike”.

Ministrja kërkoi që të vendoset sinjalistikë provizore e dendur në bypass-in e Vlorës, sidomos në ato zona ku ka skarpate, ura apo bypass-e, për të pasur procesim sa më të mirë të trafikut dhe pa aksidente.