Jean-Yves le Borgne është një prej avokatëve më të njohur dhe më të shtrenjtë në Francë, me çmimin për një çështje që shkon edhe në qindra mijëra euro.
Të dhënat e pasurisë së tij apo të ardhurat e kabinetit Le Borgne me adresë Bld. Saint Germain 116, 75006 Paris mbrohen nga ligji, por janë të njohura çështjet më të famshme të avokatit.
E para në listë, në vitet 1990, mbrojtja e suksesshme e Jean Chirac nga akuzat për korrupsion si kryetar i Bashkisë së Parisit, përpara se të bëhej President i Francës.
Një tjetër figurë e rëndësishme e politikës franceze mbrojtur nga Le Borgne është ish-ministri Eric Woerth, pjesë e dosjes Bettencourt, ndryshe historia e financimeve të paligjshme në fushatën e vitit 2007 nga ana e Ghadafit për llogari të ish-Presidentit të Frances, Sarkozy.
Një prej dosjeve më të njohura publikisht është gjithashtu ajo e kardinalit Barbarin, kreu i dioqezës së Lionit, i hetuar në vitin 2019 për pedofili.
CEO i grupit më të madh francez automobilistik Renault-Nissan, Carlos Ghosn, gjithashtu ka pajtuar për avokat Le Borgne, kur u padit për organizimin e dasmës së tij luksoze në Versajë dhe për udhëtime luksoze të miqve të tij në karnavalet e Rios me paratë e kompanisë.
Ben Ali, ish-diktatori i Tunizisë gjithashtu është mbrojtur nga Le Borgne.
I lindur në vitin 1950, avokati i Berishës është protagonist i shumë çështjeve të tjera me profil të lartë, nga politikanë apo CEO kompanish të mëdha, që janë edhe të vetmit që kanë kapacitetet për të paguar faturën e tij të kripur.