Nga Artur Ajazi/ Zgjedhjet mbaruan. Rezultati dhe fituesi u çertifikua. Ndërkombëtarët e uruan Edi Ramën, dhe deklaruan vazhdimësinë dhe bashkëpunimin me qeverinë e tij. Fakti është se edhe Partia Demokratike e ka pranuar humbjen. Në heshtje dhe e ndërvarur nga Udhëheqësi saj, strukturat dhe celulat e degëve në rrethe, ishin këto ditë të thirrurit e Lulzimit, kryetarit de jure të asaj partie.U fol dhe komunikua për “qëndresë, protesta dhe mitingje”, u fol shumë edhe për “vjedhje votash dhe blerje komisionerësh”. Një dava e vjetër. Një melodi e mbushur me skorje nga politika e skaduar. Askush nga ata që prisnin të bëheshin ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm, apo dhe poste të tjera në qeverisje, nuk u qesh, por nën zë, e pranonin se “me Ramën përballë dhe me Lulzimin kryetar nuk fitojmë dot asnjëherë pushtet”.
Ata që fituan mandatin, nuk guxojnë të përmendin emrin e Lulzimit, ikjen apo dorëheqjen e tij. Ata edhe pas 5 humbjeve rresht, i mburrin emrin, dhe e “sigurojnë’ për mbështetje. Por realisht ç’po ndodh me Partinë Demokratike ? Ajo forcë politike ka humbur karakterin e saj, boshtin e vlerave, ka humbur sensin e të bërit politikë. Ajo parti njeh veç teorinë e dhunës. E drejtuar për një kohë shumë të gjatë nga një ish-komunist e thekur, duket se Partia Demokratike realisht sot ndodhet në buzë të greminës. Humbja e tretë rradhazi e zgjedhjeve të përgjithshme, shpallja e “fitores”, pastaj mosnjohja e rezultatit, deklaratat cinike dhe idioteske që bëhen nga impulsivët e marrosur për gjoja “vjedhje votash me dhunë”, kur dihet se Partia Demokratike kishte në fushatë skuadrilje me paramilitarë të armatosur (me demek për të ruajtur vbotën) tregon se brënda asaj force politike ka probleme të rënda.
Ato nisin nga zyra e kryetarit de jure, kalojnë përmes kryetarit de facto, pastaj tek sekretarët dhe mbështetësit e ngushtë, pasi për militantë të thekur as që bëhet fjalë. Ka ndodhur ajo që kanë parashikuar qysh para 1 viti shumica e shqiptarëve. Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve për PD, e vërtetoi atë. Rrjedhja e anëtarësisë nga ajo parti në zgjedhjet e 25 Prillit, ka qenë e tmerrshme. Mllefin e kishin (dhe e kanë më shumë se kurrë sot) me Lulzim Bashën. Njeriun që shkërrmoqi strukturat e saj, njeriun që mban mbi shpinë mëkatin e shkatërrimit të linjës së komunikimit mes kryesive të degëve dhe bazës, njeriun që po mban peng partinë e dhjetoristëve për interesat e tij. Askush në Partinë Demokratike nuk ka shpresë dhe besim se një ditë do të bëhet “analiza e humbjes” por do të ripërsëritet “analiza e vjedhjes së votave”.
Askush në atë parti nuk ka besim se Lulzim Basha do të dorëhiqet, apo largohet nga Udhëheqësi, pasi pazaret mes tyre, janë për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me PD. Lulzimi në fakt jeton në 2021, por mendon sikur të ishte në 1991. Natën sheh ëndërra me “fitore”, kurse ditën jep kushtrimin se “na janë vjedhur votat nga Rama”. Diçka e tmerrshme po ndodh me Partinë Demokratike. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja e vetme, që Edi Rama i shtriu dorën për bashkëpunim Lulzim Bashës, gjë të cilën ky i fundit e kuptoi si “dobësi e humbësit”. Duhet të jesh dritëshkurtër, të mendosh dhe besosh se Edi Rama ka ndjesinë e humbësit, kur të shtrin dorën e bashkëpunimit. “Kur je hipur mbi kalë, më lehtë është ti vësh këmbën se ti japësh dorën tjetrit”- thonë. Por ja që kryeministri Rama, i zgjati dorën Bashës, edhe pse ai është humbësi serial i zgjedhjeve. Një ftesë e sinqertë, pa kushte, pa paragjykime, falë një vizioni të ri mbi ndërtimin e një politike europianiste këtej e tutje në Shqipëri. Tani mbetet rradha e Lulit të vendosë, me kokën e tij ama, jo të Udhëheqësit.