I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Lisandër Hoxha, ish-nënkryetar i FRPD vuri para përgjegjësisë për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit, liderin e opozitës, z.Lulzim Basha.
Hoxha shtoi se Partia Demoratike tashmë është në krizë dhe kjo ëhstë një fatkeqësi për një forcë politike.
“Ne jemi zyrtarisht në një krizë shumëplanëshe, shumë-dimensionale në forcën tonë politike.
Po të bëhen sot zgjedhjet brenda Partisë Demokratike nuk mobilizojmë dot as 5% të njerëzve, sepse nuk na vijnë. E di ç’do të thotë t’i lësh në opozitë 12 vjet. E kuptoni se çfarë fatkeqësie është kjo për një forcë politike? Nuk e mundim dot ne Edi Ramën? Dhe e kanë çuar debatin në një pikë që mua më duket anormale: ‘A duhet të rrijë Lulzim Basha, apo nuk duhet të rrijë?’ Po, ç’është kjo? S’ka kuptim!”
Më tej, Hoxha u shpreh se nuk ka fituar Rama, por ka humbur PD zgjedhjet.
“Duam të hapet një proces gare. Do mbështes çdo të ri dhe të re që garanton bashkimin e Partisë Demokratike, rregulla të reja loje që të na mbajnë brenda dhe strategji se si rrëzohet Rama. Unë besoj shumë që ne jemi ofertë morale akoma në shoqëri, pavarësisht konfliktit tonë të brendshëm. Edi Rama është kryeministër matematik, nuk ka fituar ai, kemi humbur ne zgjedhjet.”