Suedia, që ka ndjekur një strategji më pak të rreptë se kudo tjetër në Europë kundër COVID-19, do të heqë masat e saj shëndetësore në pesë faza, duke filluar nga java e ardhshme, njoftoi sot kryeministri i saj, Stefan Löfven.

“Ne po shohim fillimin e fundit”, tha Löfven në një konferencë shtypi, pa u zotuar për një datë të caktuar për një rihapje të plotë të jetës shoqërore. Lehtësimi gradual i kufizimeve, që do të fillojë më 1 qershor, do të studiohet në kuadër të situatës së epidemisë, kapaciteteve të sistemit shëndetësor dhe progresit të fushatës së vaksinimit.

“Heqja e kufizimeve po bëhet me përgjegjësi dhe me përgatitjen e nevojshme për t’u përballur me një situatë ku shkalla e infeksionit mund të rritet sërish”, sqaroi kryeministri, ndërsa paralajmëroi se “nëse gjërat shkojnë keq, ne jemi të gatshëm t’i ndalojmë këto lehtësime”. Nga e marta, baret dhe restorantet do të jenë në gjendje të qëndrojnë të hapura deri në 22:30 nga 20:30 aktualisht, parqet argëtuese do të rihapen, ndërsa mësimi ballë për ballë për studentët do të autorizohet sërish.