Kryeqyteti i Shqipërisë është bërë “teatër” i demonstrimit të radhës së Forcave të Armatosura Shqiptare në bashkëpunim me Forcat e NATO-s, në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”.

Entuziazmi dhe kërshëria ishin kryefjalë e ecejakeve të qytetarëve të Tiranës që ushqyen kuriozitetin e tyre duke prekur nga afër armatimet dhe logjistikën ushtarake të ekspozuar në sheshin “Nënë Tereza”, ku ndër të tjera dhe u demonstrua forca e Aleancës së Atlantikut të Veriut përmes një ushtrimi ushtarak, i cili përfshinte aksione nga qielli dhe toka.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër takimin e qytetarëve të kryeqytetit me forcat e armatosura amerikane dhe shqiptare që mbushën sheshin përpara kampusit qendror me konture të gjelbërta ushtarake, me armatimet më të fundit si dhe helikopterët “Black Hawk”.