Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se zhvillimi i një stërvitjeje kaq masive si “Defender Europe 21” kërkon edhe aftësi të mëdha logjistike, ndaj sipas tj,
“Shqipëria ka ofruar të gjitha lehtësitë rrugore dhe aeroportuale për forcat aleate”.
Ministri Peleshi ndau pamje nga zhvillimi i stërvitjes “Defender Europe 21, ndërsa theksoi se “Forcat e Armatosura të Shqipërisë po testojnë aftësitë e tyre për t’u zhvendosur në nivel grup-batalioni, larg venddislokimit të përhershëm”.
Stërvitja “Defender Europe 2021”, që po zhvillohet prej 4 majit në vendin tonë, është më e madhja në 3 dekadat e fundit.
Me anë të kësaj stërvitje po demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.
Stërvitja po kryhet në bazat ushtarake të Bizës, Kuçovës, Pashaliman, Farkë, Rinas, Durrës dhe Zall-Herr.
Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.