Nga Artur Ajazi/ Ithtarët e Lulzim Bashës dhe mandatfituarit e Partisë Demokratike, mercenarët dhe pjesa më mediokre e saj, që pas 26 Majit, kanë nisur të thonë “demokracia në rrezik”, duke mohuar rrezikun që kanë brënda asaj partie. Një prej shpikjeve të humbësit serial, që (sipas Ristanit) edhe në 2011 nuk ka fituar me vota të lira postin e kryetarit të bashkisë në Tiranë. Dihet se atë “fitore” ja dhuroi tjetër kush. Por ç’rëndësi ka ajo tani. Më shumë vlen kokëfortësia dhe skenari i Lulzimit për të qëndruar në postin e kryetarit, edhe pse ka shpallur zgjedhjet e reja në parti. E ndërsa ishte parashikuar java e tretë e korrikut për zgjedhjet e reja, duket se Lulzimi e ka afruar dhe ka përcaktuar 13 Qershorin si datë finale.
Partia Demokratike ndodhet në situatën e saj më dramatike, ndërkohë që megafonët e kryetarit humbës në çdo medie nuk po rreshtin së thëni “demokracia në rrezik, ndaj duhet të rrijë Lulzimi kryetar”. Asnjëherë si më parë, demokracia brënda PD nuk ka qenë e rrezikuar, e shtypur, e dhunuar. Atje shtypet fjala e lirë, zëri kundër, atje thurren skenarë, intriga, montohen akuza dhe denoncime të rreme për cilindo që guxon dhe del kundër kryetarit humbës. Si ka mundësi të katandiset deri në këtë pikë partie e ideleve të dhjetorit ’90 ? Si asnjëherë më parë, brënda asaj partie janë krijuar shtresëzime të rrezikshme, që pritet tu mbyllin gojën kujdo që ka kurajon të kërkojë largimin e Lulit. A thua Berisha të ketë dalë jashtë loje, në gjithë këtë situatë dramatike që ka mbuluar partinë e tij? A thua të mos ketë forcë Berisha, të ndalë, apo dhe largojë “djalin” e tij politik, i cili ka humbur 5 palë zgjedhje dhe sërish ngul këmbë të mos largohet?
Mbledhja e kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, u kthye në gallatë, por më kulminante ishte “zgjedhja” e Jemin Gjanës si kryetar i komisionit të zgjedhjes së kryetarit të ri. Një karagjozllëk që Lulzimi mendon se do ta shpëtojë nga largimi, i cili në rast se nuk bëhet në 13 Qershor, do të bëhet pas pak muajsh. Baza e Partisë Demokratike, ka 2-3 javë që shfryn dhe akuzon kryetarin për humbjen. Në rrethet kryesore si Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Berati etj.. anëtarësia kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, me kushtin që Basha të dorëhiqet, dhe vota të mos u imponohet. Rrjedhjet dhe largimet nga ajo parti janë të pandalshme. Ndërkohë që zëri kundër, i mbyllet çdo militanti, sekretari apo anëtari kryesie nga qendra në rrethe. Vallë kjo është demokracia sipas Lulzimit ? Cila demokraci është në rrezik, ajo e PD-së ? Sepse sot (jo si dikur) mund të kritikosh dhe denoncosh cilindo nga qeveria dhe Parlamenti, dhe je i lirë të shkruash kudo dhe çfardo mendimi apo opinioni që ke mbi politikanët. Meqenëse sekretarët dhe agjitriopët e Lulzimit po flasin për “demokracinë në rrezik”, dua tu kujtoj se në 1992 -1996, SHIK-u famëkeq, (strukturë dhe vegël bindëse e Partisë Demokratike) ndiqte dhe dhunonte qytetarët dhe gazetarët, merrte peng torturonte dhe vriste këdo që kishte guximin të akuzonte Sali Berishën apo ministrat e tij. Dihet se si kanë përfunduar edhe redaksi gazetash asokohe, madje edhe në 8 vitet e qeverisjes 2005-2013.
Atëhere për cilën “demokraci në rrezik” e kanë fjalën mercenarët e mandatuar dhe ekzaltuar të Lulzimit ? Ata që kapardisen me veshje të shtrenjta para votuesve, dhe u bëjnë propogandë me përralla vere atyre, mbi gjoja “vjedhje votash”, nuk e njohin as si nocion, termin demokraci. Një parti që nuk e njeh, dhe nuk e zbaton demokracinë brënda saj, nuk ka moralin të kërkojë “mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri”. Lulzimi që ka vendosur ta “mbrojë demokracinë” me jeminët, ervinët, gridat, tritanët, harron se pas 13 Qershorit, ai do të jetë një kryetar zullumqar, që vetëm qetësi dhe lumturi politike nuk do të ndjejë brënda vehtes.