Në Ditën Botërore të Jetimëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në facebook shkruan se gjatë këtij viti janë 13 fëmijë që janë rikthyer në familjet e tyre biologjike.

Manastirliu shkruan se me Fondin Social do të mbështeten strukturat vendore për fuqizimin dhe krijimin e shërbimeve të reja për fëmijët pa kujdes prindëror për të mbështetur familjet biologjike për të rimarrë fëmijët në gjirin e tyre, në interesin më të lartë të fëmijëve.

Përmes Fondit Social për vitin 2021 do të pilotohen në Korçë dhe Vlorë shërbime të reja si: Fuqizimi i familjes; Kujdesi në shtëpi për mbështetjen e prindërve me probleme të shëndetit mendor; Kujdestaria Alternative Profesionale; Aftësimi Prindëror i akredituar.

Gjatë këtij viti janë birësuar 13 fëmijë, ndërkohë që 9 fëmijë janë vendosur në familje kujdestare nga IPSH, 13 fëmijë janë vendosur në familje kujdestare me lidhje gjaku.

Ne Institucionet publike të përkujdesit për fëmijë ofrohen shërbime psiko-sociale (këshillim, punë grupi, terapi, aktivitete kulturore, sportive, integruese, formuese, argëtuese, etj), shërbim shëndetësor (kontrolle mjekësore, vaksinim, dieta etj, shërbim mbështetës (përkujdesje, ushqim, veshmbathje etj) dhe shërbim edukues (arsimim, kurse kualifikuese, mësim).

Postimi i ministres Manastirliu: 13 fëmijë të institucioneve tona të kujdesit social janë rikthyer në familjet e tyre biologjike gjatë këtij viti

Me Fondin Social, po mbështesim strukturat vendore për ngritjen dhe fuqizimin e shërbimeve të reja për fëmijët pa kujdes prindëror, me synim mbështetjen e prindërve dhe familjeve biologjike, për të rimarrë fëmijët në gjirin e tyre, në interesin më të lartë të fëmijëve.
#FëmijëtTëParët