Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka kujtuar 108-vjetorin e krijimit të drejtësisë shqiptare, duke theksuar se jemi duke kaluar një moment historik, për të vendosur një model të ri të drejtësisë, për të shënuar një kthesë aq domethënëse në Shqipëri, që mund të shërbejë si model suksesi edhe për vende të tjera.

“108-vjet më parë, në 10 maj 1913 kur u miratua “Kanuni i Zhurisë”, Shqipëria endej në sapokrijimin e shtetit prej Kuvendit të Vlorës. “Kanuni i Zhurisë” ishte akti i parë dhe gurëthemeli pas pavarësisë për krijimin e organeve kryesore të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe riorganizimin e pushtetit gjyqësor”, – tha Gjonaj.

“Për të ardhur në këtë 108-vjetor, kujtojmë periudhën 1990 e këtej, të ndarë para dhe pas 2016 kur reforma në Drejtësi nisi dhe u miratua me vendosmëri dhe gjithëpranim të shprehur me votën e të 140 deputetëve në 21-22 korrik të atij viti”,- shprehet Gjonaj.

“Arritëm me vështirësi dhe pengesa këto ditë, për të patur një sistem të ri drejtësie, por jemi më pranë se kurrë aspiratës për të patur një shtet të së drejtës dhe një sistem drejtësie të bazuar te pastërtia morale, aftësia profesionale dhe pavarësia nga politika. Ne jemi duke kaluar një moment historik, për të vendosur një model të ri të drejtësisë, për të shënuar një kthesë aq domethënëse në Shqipëri, që mund të shërbejë si model suksesi edhe për vende të tjera. Tashmë vetë sistemi i drejtësisë duhet të veprojë në pavarësi dhe paanshmëri”,- nënvizon Gjonaj.

“Të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, organet e qeverisjes dhe korpusi institucional i krijuar për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të veprojnë në mënyrë proaktive, me përgjegjshmëri të lartë që të ndërmarrin hapat e duhur për vendosjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri në rrugën për t’iu përshtatur standardeve më të mira evropiane. Padyshim që sot ndihemi shumë mirë, që reforma në Drejtësi ka arritur rezultate shumë të mira dhe ja kemi dalë të ndërtojmë sistemin e ri te drejtësisë. Dëshmuar kjo, nga plotnia e komunikimit, bashkëpunimit dhe vlerësimit qytetar, institucional dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Urime këtë ditë të zanafillës së drejtësisë!”,- përfundon ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.