Rigjallërimi i ekonomisë në 4 muajt e parë të vitit shtoi të ardhurat në buxhet, duke i dhënë hapësirë qeverisë që të mos ndalë planet e saj për investime publike. Në një intervistë për Televizionin Klan ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj thotë se të dhënat e kësaj periudhe japin sinjale të qarta që ekonomia ka filluar të lëvizë, ku kontribut të madh ka patur procesi i rindërtimit dhe vaksinimi i popullatës i cili ka zbutur masat kufizuese në ekonomi. Shpresat janë për një rikuperim më të madh gjatë sezonit turistik.
“Ekonomia filloi të lëvizë. Gjithë punët publike duke filluar me rindërtimin siç janë kantieret kryesore sot, por edhe një likujditet i shtuar në ekonomi që ndikon edhe në punësim dhe zgjerim konsumi. Kemi vijuar vaksinimin masiv që kërkon fonde shtesë. E gjithë kjo ka filuar të japë rezultat”, tha Denaj.
Për Anila Denaj disbursimet e larta buxhetore për rindërtimin vijnë si rezultat i pagesave të mbartura një vit më parë të cilat nuk arritën të kryheshin në kohë, ndërsa qeveria vendosi që fondet të mos digjeshin.
“Janë pagesa që janë bërë brenda kalendarit të pagesave, që nga momenti që janë përcaktuar dhe pastaj ka filuar disbursimi, i cili ka ndjekur trendin dhe ka buxhetet e vete të alokuara”.
Në çdo rast dhe në çdo skenar, buxheti i këtij viti do të jetë në dispozicion të vaksinimit të popullatës, jo vetëm për të mbrojtur shëndetin por dhe për ekonominë.
“Nevoja për të shtuar më tej fondet buxhetore tek fondet e vaksinave ekziston. Do ta bëjmë. Është një detyrim si ndaj qytetarëve por edhe ndaj ekonomisë”.
Në mandatin e tretë në fokus të punës së qeverisë do të jetë vazhdimi i reformave ekonomike: fiskalizimi, rimbursimi i TVSH-së i cili do të jetë automatik në vitin 2023 dhe mbështetja me grante dhe garanci sovrane e ndërmarrjeve të prekura nga pandemia.
“Ka një fond të veçantë për inovacionin që do të vendoset si fond mbështetje për bizneset. Në manifakturë ka një garanci sovrane me gati 50 milionë euro”.
Të ardhurat në buxhet në periudhën e parë të vitit u rritën me 200 milionë dollarë më shumë se një vit më parë ndërsa rezultojnë më të larta edhe se përpara pandemisë, rritja e tyre u mbështet dhe nga shtimi i eksporteve të cilat po ashtu regjistruan vlerën më të lartë në 5 vitet e fundit.